Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se anulimi i vizitave të kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel dhe SHBA është një shenjë e qartë pakënaqësie për këto dy vende nga ana e Serbisë.
Sipas Daçiqit, kryeministri serb ka dashur të përçojë mesazhin se nuk ishte e drejtë që të mos çmohen përpjekjet e Qeverisë së Serbisë si dhe të kryeministrit serb në rrugën e reformave drejt BE-së.
“Është një mesazh se ne nuk do të luajmë lojëra të dyfishta. Sikurse Serbia që është një partner i parashikueshëm, njëjtë duhet të jetë edhe Gjermania dhe SHBA-ja. Presim nga to që të na mbështesin në rrugën tonë drejt Evropës, për të mos e destabilizuar Serbinë”, ka thënë Daçiq për televizionin Prva, transmeton KosovaPress.
Ai po ashtu ka mohuar raportimet se Serbisë i janë paraqitur kushte të reja në rrugëtimin drejt BE-së.
“Natyrisht, asgjë nga këto nuk ka të vërtetë. Asnjëherë, askush nuk ka thënë diçka kësisoj”, ka shtuar Daçiq.