Site icon Telegrafi

Tenderi për koncesionin e Aeroportit në shtator

"Shpallja e tenderi pritet të bëhet më së voni deri në muajin shtator. Ndërsa fituesi pritet të shpallet në dhjetor, ka deklaruar në një intervistë për Kosova Sot, ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Fatmi Limaj. 

Në përmbledhjen e projektit të ANP-së, e cila është në fazën zyrtare të Partneritetit Kosova (PK), implementuese e projektit, thuhet se ANP-ja është një komponentë vitale e infrastrukturës së transportit të Kosovës dhe është një nga aeroportet më të ngarkuara në Ballkan, duke u shërbyer 1.2 milion pasagjerëve dhe duke zhvilluar 14.000 fluturime në vitin 2008.

“Në vitet e fundit, ANP-ja ka ruajtur shkallë mbi mesataren të rritjes së trafikut të pasagjerëve, duke shënuar një rritje vjetore prej 11.4% në periudhën 2007-2008”, thuhet më tej në prezantimin e ANP-së nga PK.

Sipas të dhënave zyrtare të ANP-së, vetëm në gjashtëmujorin e parë të 2009-ës është një fitim neto prej 3.5 milionë euro. Kjo shifër paraqet 8 përqind më shumë se 6 mujori i parë i vitit 2008, – vit i cili qe cilësuar i artë për ANP-së, për shkak se fitimet neto për herë të parë në historinë e tij ishin rreth 7 milionë euro. Kurse numri i udhëtarëve po për herë të parë arriti dhe kaloi shifrën prej 1 milion udhëtarëve.

Projekti, sipas Partneritetit Kosova, përmban menaxhimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Gjithashtu, edhe “financimi, projektimi, prokurimi dhe ndërtimi i një programi për zgjerim të infrastrukturës, i vlerësuar në afërsisht 86 milionë euro, që përfshin ndërtesën e re referuese të terminalit (25.000 m2), kullën e re të kontrollit dhe lehtësirat përcjellëse, platformat e reja, hapësirat e aeroportit etj”.  /Telegrafi/ 

Exit mobile version