Site icon Telegrafi

Tenderi i Telekomit kthehet për herë të dytë në rivlerësim

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kthyer në rivlerësim tenderin për furnizim me pajisje mobile telekomunikuese të Telekomit të Kosovës, pasi është vërtetuar pjesërisht e bazuar ankesa e operatorit ekonomik “Botek & FMC”, shkruan sot Koha Ditore.

“Anulohet vendimi i Autoritetit Kontaktues, Telekomi i Kosovës, për dhënie të kontratës, lidhur me procedurën e prokurimit me titull ‘Furnizim me pajisje mobile telekomunikuese … lot 1 dhe lot 2, si i pabazuar dhe lënda kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OShP-së, që është publikuar të hënën.

Sipas ankesës së “Botek & FMC”, Telekomi i Kosovës ka bërë shkelje të Ligjit të prokurimit dhe Rregullores së prokurimit publik. Telekomi i Kosovës i kishte dhënë tenderin kompanisë “F-Mobile”, oferta e së cilës ka qenë më e shtrenjtë sesa e operatorit ekonomik ankues.

Oferta e “Botek & FMC” për lotin 1, ka qenë 76 mijë euro ose 3 për qind më e lirë sesa oferta e “F Mobile”, që ka qenë 79 mijë e 900 euro, përcjell koha.net. Ndërkohë oferta e “Botek & FMC”, për lotin 2 ka qenë 156 mijë euro, ose 22 për qind më e lirë sesa oferta e “F Mobile”. /Telegrafi/

Exit mobile version