Dhjetë muaj më parë, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, miratoi projektin e përforcimit dhe restaurimit të “Urës së Zogut” në Milot, monument kulture i kategorisë së parë, lajm për të cilin reagoi edhe kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.
“Ura me harqe ka qenë një nga veprat urbanistike më moderne të ndërtuar në Ballkan në kohën e Mbretit Zog, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për të tani, pasi kjo urë është degraduar çdo vit e më shumë. Këmbët e saj janë futur disa metra në shtratin e lumit Mat dhe ne e vëmë re edhe në disnivelin e kësaj vepre urbanistike.”
Edhe pse ndërhyrja është emergjente, Ministria e Kulturës thotë se zbatimi në terren i projektit nuk ka nisur për shkak se kompanitë në garë nuk kanë plotësuar kriteret.
“Procedura e Konkurrimit Publik është publikuar disa herë në Agjencinë e Prokurimeve Publike, si dhe në faqen e Ministrisë së Kulturës. Gjatë vlerësimit të Operatorëve Ekonomikë pjesëmarrës, është konstatuar se ato nuk kanë përmbushur kriteret për kualifikim të paraqitura në Dokumentet Standarde te Konkurrimit Publik të cilat janë thelbësore për realizimin e këtij projekti.”
“Vërshimi i lumit, nxjerrja e inerteve nga shtrati i lumit, por edhe mos ndërhyrja në kaq dekada e ka degraduar gjendjen e kësaj ure”.
Këto arsye radhit në përgjigje për Tv Klan edhe ministria, ndërsa pohon se pas inspektimit të herë pas hershëm në terren kanë kontaktuar se zhytja dhe animi i saj është aktiv.
“Në relacionin teknik evidentohet se përkeqësimi i gjendjes së urës mund të vijnë si rezultat i kushteve klimaterike, reshjeve të dendura si dhe të shkarkimeve nga kaskada e HEC-eve mbi Drin. Gërryerjet e vazhdueshme të materialit brenda dhe jashtë palankolës mund të kenë çuar në uljet periodike të këmbës dhe animin e saj duke e bërë akoma edhe më të vështirë situatën.”
Edhe pse nuk ka një datë se kur do të nisë ndërhyrja përforcuese në urë, ministria më 8 Dhjetor ka hapur sërish garën për këtë projekt që do të kushtojë mbi 46 mln lekë.