Byroja Kosovare e Sigurimit i ka dhënë një tender kompanisë së avokatëve “Arbëresh”, pronë e Rrahim Pacollit, i cili udhëheq Asamblenë e Byrosë së Sigurimit.
Në procesverbalin e mbledhjes së BKS-së dhe kompanisë Arbëresh, të siguruara nga KTV-ja, kompania e avokaturës është kontraktuar për të përfaqësuar Byronë në një padi që 3 kompani të sigurimit kanë ushtruar ndaj BKS-së.
“Ofertuesi i parë, kompania e avokatëve “Arbëresh”, ka paraqitur ofertën për mbrojtjen ndaj padisë së ushtruar nga kompanitë e sigurimeve “Sigos”, “Insig” dhe “Croatia Sigurimi”, në përqindje prej 20 për qind për rast”, thuhet në procesverbal, raporton KTV.
Dy ofertuesit e tjerë, avokati Driton Govori dhe Afrim Krasniqi janë diskualifikuar.
Avokati Krasniqi gjithashtu figuron si pronar i kompanisë “Arbëresh”, por ai ofertën e ka bërë individualisht.
KTV-ja e ka pyetur edhe Rrahim Pacollin e BKS-së për dhënien e tenderit kompanisë, pronare e të cilës është ai, por ai ka hedhur poshtë mundësinë të ketë pasur ndonjë ndikim.
ARTA_BYROJA_BKS_PACOLLI_26_05 from Koha.net on Vimeo.