Site icon Telegrafi

Tender kompanisë me çmimin më të lartë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur shumë shkelje në Komunën e Rahovecit. Gjatë auditimeve të pasqyrave financiare Auditori ka gjetur se në projektin “Blerja e instrumentit gjeodezik” Komuna kishte lidhur kontratë me kompaninë me çmimin më të lartë, edhe pse sipas Komisionit për Vlerësimin e Ofertave operatori me çmimin më të ulët i kishte përmbushur kriteret, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Shumë shkelje ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2016 në Komunën e Rahovecit, e cila drejtohet nga Idriz Vehapi.

Në projektin “Blerja e instrumentit gjeodezik” Komuna kishte lidhur kontratë me operatorin ekonomik me çmimin më të lartë, edhe pse sipas komisionit për vlerësimin e ofertave operatori me çmimin më të ulët i kishte përmbushur kriteret dhe ishte i përgjegjshëm.

Sipas ZKA-së, kontrata ishte lidhur në vlerë 11,978 euro, ndërsa çmimi i ofruar nga operatori ekonomik konkurrent ishte 9,250 euro.

Më tutje, Zyra e Prokurimit nuk e kishte njoftuar me shkrim OE-në të eliminuar nga tenderi lidhur me arsyet e eliminimit.

Po ashtu në tri raste Zyra e Prokurimit nuk kishte njoftuar me shkrim operatorët ekonomikë për arsyen e eliminimit të tyre nga tenderi, shkruan “Zëri”.

“Shpërblimi i OE-së me çmimin më të lartë ndikon në dëmtimin e buxhetit komunal. Mosnjoftimi i OE-së me shkrim për eliminim nga tenderi i pamundëson OE-së të eliminuar që të bëjë ankesa në institucionet kompetente. Kryetari duhet t’i analizojë arsyet pse në rastet e mësipërme nuk janë zbatuar kërkesat e prokurimit me konsistencë dhe në të ardhmen siguroi se janë shpërblyer OE-të me çmimet më të volitshme për Komunën, si dhe do të bëhet me shkrim njoftimi i OE-së për eliminim nga tenderi”, thuhet në raportin e ZKA-së. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version