Site icon Telegrafi

Temperaturat në Grenlandë nuk kanë qenë kaq të ngrohta në të paktën 1000 vjet, raportojnë shkencëtarët

Ndërsa njerëzit po merren me “termostatin e planetit”, shkencëtarët po bashkojnë të dhënat e Grenlandës duke shpuar bërthama akulli për të analizuar se si kriza klimatike ka ndikuar në vendin ishull gjatë viteve.

Në këtë drejtim, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pas vitesh kërkimesh mbi shtresën e akullit të Grenlandës, shkencëtarët raportuan të mërkurën në revistën Nature se temperaturat atje kanë qenë më të ngrohtat në të paktën 1000 vitet e fundit.

Dhe ata zbuluan se midis 2001 dhe 2011, ishte mesatarisht 1.5 gradë Celsius më e ngrohtë se sa ishte gjatë shekullit të 20-të.

Autorët e raportit thanë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit luajtën një rol të rëndësishëm në rritjen dramatike të temperaturave në rajonin kritik të Arktikut, ku shkrirja e akullit ka një ndikim të konsiderueshëm global.

“Grenlanda është kontribuuesi më i madh aktualisht në ngritjen e nivelit të detit”, ka thënë për CNN Maria Hörhold, autorja kryesore e studimit nga Instituti Alfred Wegener.

“Dhe nëse vazhdojmë me emetimet e karbonit siç bëjmë tani, atëherë deri në vitin 2100, Grenlanda do të ketë kontribuar deri në 50 centimetra në ngritjen e nivelit të detit dhe kjo do të prekë miliona njerëz që jetojnë në zonat bregdetare”.

“Stacionet” e motit përgjatë skajit të shtresës së akullit të Grenlandës kanë zbuluar se rajonet e saj bregdetare po ngrohen, por kuptimi i shkencëtarëve për efektet e rritjes së temperaturave atje ishte i kufizuar për shkak të mungesës së vëzhgimeve afatgjata.

Andaj, të kuptuarit e së kaluarës, tha Hörhold, është e rëndësishme për t’u përgatitur për pasojat e ardhshme. /Telegrafi/

Exit mobile version