Site icon Telegrafi

Temperaturat mbi 40 gradë celsius godasin Australinë, disa qytete përfshihen nga zjarri (Foto/Video)

Të paktën katër shtëpi janë shkatërruar dhe qindra persona janë evakuuar për shkak të zjarrit që është shkaktuar nga temperaturat e larta në verilindje të Australisë, kanë njoftuar autoritetet e këtij vendi. Zjarri ka përfshirë mbi 20 mijë hektarë tokë pune dhe pyje.

Kryetari i komunës Gladstoune në Queensland, Matt Barnett, ka deklaruar se policia u ka bërë thirrje qytetarëve të Baffle Crick, Deepëater, Oister Krik dhe Rules Beach që të evakuohen, por disa prej tyre kanë refuzuar ta bëjnë një gjë të tillë, transmeton Telegrafi.

“Kur një zyrtar policor u troket në derë dhe u thotë se zjarri është duke u zgjeruar, koha është që të dilni jashtë. Në atë zonë nuk ka më siguri, nëse vendosni të qëndroni”, ka shtuar Barnett.

Qindra zjarrfikës janë duke u bërë gati pasi pritet që situata të përkeqësohet, pasi që temperaturat gjatë ditës së nesërme pritet të arrijnë mbi 40 gradë Celsius, ku erërat prej 40 kilometrave në orë do ta zgjerojnë zjarrin në zona tjera.

https://twitter.com/DanLindsey77/status/1066961998087421952

Drejtori i byrosë shtetërore të meteorologjisë, Bruce Gan, ka deklaruar se shumë zona të Queenslandit janë ekspozuar temperaturave të larta gjatë këtij muaji.

“Jemi dëshmitarë të thyerjes së rekordit të 70 viteve të fundit”, ka shtuar Gan.

Komisarja e ekipeve të zjarrfikësve dhe atyre emergjente në Queensland, Katarina Keroll, ka deklaruar se zjarri që ka shpërthyer në 24 nëntor është zgjeruar në 66 kilometra.

Ekspertët kanë paralajmëruar se numri i ditëve me temperatura shumë të larta, nga viti në vit pritet të rritet. /Telegrafi/

 

Exit mobile version