Numri i qytetareve që ditëve të fundit kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si pasojë e temperaturave të larta të cilat kanë goditur vendin tonë ditëve të fundit është rritur dukshëm.
Drejtori i Qendrës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani, tha për gazetën “Zëri” se në krahasim me vitin 2016, periudha janar-gusht, numri i pacientëve është rritur për rreth 10 për qind në të gjitha patologjitë.
Ndërsa, vetëm si shkak i temperaturave sipas tij të larta ka rritje prej 5 deri në 7 për qind.
Ndërsa, doktoresha kujdestare Krenare Makolli ka thënë se gjatë ditëve të fundit ka rritje të numrit të pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë në Qendrën Emergjente.
“Kategoria e personave të cilët rrezikohen më së shumti nga temperaturat e larta janë personat në moshë të shtyrë, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike. Simptomat më të shpeshta se një person është goditur nga dielli janë pulsi më i shpejtë dhe më i fortë, ngritja apo ulja e tensionit, humbja e vetëdijes…etj”, ka thënë Makolli për gazetën “Zëri”.
Ajo rekomandon posaçërisht personat e moshuar që të shmangin ekspozimin në diell nga ora 10:00 deri në orën 18:00, ose në rast se dalin, të shoqërohen nga një person tjetër.
Sipas saj, tek fëmijët si pasojë e temperaturave shfaqen barkqitje dhe të vjella, raporton zëri.info.
Foto: Ilustrim