Site icon Telegrafi

Temperaturat e larta, rreth 20 persona brenda ditës kërkojnë ndihmë nga autoambulanca e vendosur në sheshin “Skënderbeu”

Për shkak të vapës së madhe e cila ka kapluar vendin, një autoambulancë është vendosur në sheshet e Prishtinës. Kjo autoambulancë me një doktoreshë dhe dy infermierë po qëndron në këto sheshe për t’iu dhënë ndihmën e parë mjekësore qytetarëve të cilët kanë probleme për shkak të temperaturave të larta.

E nuk janë të paktë qytetarët të cilët ofrohen afër autoambulancës për të kërkuar ndihmë.

Sebahate Berisha – Jakupi, Specialiste e mjekësisë familjare e shoqëruar nga Hajrie Abazi, Infermiere dhe Besmir Sadiu, Infermier, iu japin ndihmë atyre të cilët ofrohen tek kjo autoambulancë.

Specialiste e mjekësisë familjare, Sebahate Berisha – Jakupi në një deklaratë dhënë Telegrafit ka treguar se sa është numri i qytetarëve të cilët brenda ditës kërkojnë ndihmë në këtë autoambulancë.

“Këtu kemi dalë qe gjashtë ditë për t’iu ndihmuar atyre që kanë nevojë për shkak të temperaturave të larta. Brenda ditës deri në 20 qytetarë kërkojnë ndihmë”, ka thënë ajo.

Lexo po ashtu Gjatë vikendit rreth 500 persona kërkuan ndihmë në QKUK, shkak temperaturat e larta

Sipas saj ata që kërkojnë ndihmë kanë probleme të ndryshme.

“Zakonisht kërkojnë ndihmë ata që janë me sëmundje kronike, që kanë probleme me tension, humbje të lëngjeve apo dehidrim, dhe sëmundje të tjera”, është shprehur ajo.

Ndër të tjera ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të mos dalin nga ora 10:00 deri në orën 17:00 nëse nuk kanë ndonjë punë.

“Qytetarët të mundohen t’i ikin sa më shumë vapës. Të moshuarit, fëmijët, shtatzënat të mos dalin në mesditë. Të konsumojnë sa më shumë lëngje, ujë. Ta marrin ushqimin e pasur me vitamina”, është shprehur ajo duke treguar se autoambulanca do të qëndrojë në sheshet e Prishtinës sa të mbizotërojnë temperaturat e larta në vend.

“Ne këtu do të qëndrojmë sa të jetë kjo vapë e lartë. Për të qenë sa më afër qytetarit që ka nevojë, dhe për t’i ofruar ndihmë”, ka theksuar ajo.
Ndryshe vetëm gjatë vikendit gjatë vikendit në Kliniken Emergjente në QKUK kanë kërkuar ndihmë afër 500 persona.

Ndërsa edhe sot temperaturat pritet të arrijnë deri në 38 gradë celsius.

Nga dita e mërkurë një turbullirë nga Atlantiku do të kalojë mbi rajon, që pritet të sjellë edhe zhvillime të shtrëngatave të shpërndara me shi, kryesisht orëve të pasdites dhe mbrëmjes./Telegrafi/

Exit mobile version