Një valë e të nxehtit në Marok la të vdekur të paktën 21 persona në një periudhë 24-orëshe në qytetin qendror Beni Mellal, njoftoi ministria e shëndetësisë.
Departamenti i Meteorologjisë tha se temperaturat e larta mbërthyen pjesën më të madhe të vendit të Afrikës së Veriut nga e hëna deri të mërkurën, duke arritur në 48 gradë Celsius në disa zona.
Në Beni Mellal, “shumica e vdekjeve përfshinin njerëz që vuajnë nga sëmundje kronike dhe të moshuar, me temperatura të larta që kontribuojnë në përkeqësimin e shëndetit të tyre”, thuhet në një deklaratë të autoritetit shëndetësor rajonal.
Maroku pësoi për të gjashtin vit radhazi thatësirë dhe nxehtësi rekord këtë dimër, me janarin më të nxehtë të vendit që nga viti 1940, sipas zyrës meteorologjike, e cila regjistroi temperatura që i afroheshin 37 gradë Celsius në disa vende.
Rritja e temperaturave dhe thatësira e zgjatur, të cilat kanë ulur nivelin e ujit, janë një kërcënim për sektorin jetik të bujqësisë, raporton france24.
Avullimi i ujit ka arritur në 1.5 milion metër kub në ditë, tha në fund të qershorit ministri i Ujësjellësit, Nizar Baraka.
Temperatura rekord në Marok – 50.4 gradë Celsius – u mat në muajin gusht të vitit të kaluar në Agadir, në jug të vendit.
Shkencëtarët e kanë lidhur ndryshimin e klimës me kushte më të qëndrueshme, më të forta dhe më të shpeshta të motit ekstrem, duke përfshirë valët e të nxehtit. /Telegrafi/