Site icon Telegrafi

Temperaturat e larta, mjeku: Të shmangen daljet në orët e nxehta, të bëhet kujdes me fëmijët dhe të moshuarit

Në kushtet kur Shqipëria është përfshirë nga temperaturat e larta që këtë javë pritet të arrijnë deri në 43 gradë celcius, mjekët japin disa këshilla për të gjithë qytetarët si të jenë më të kujdesshëm me daljen në diell, por edhe me konsumimin e ushqimeve.

Mjeku i familjes në Qendrën Shëndetësore nr. 9 në Tiranë, Artan Bitri tha sot për ATSH-në se “qytetarët duhet të shmangin daljet në orët e pikut, 11.00-17.00, ndërsa duhet të bëhet kujdes me fëmijët dhe të moshuarit”.

Kujdes të veçantë, u shpreh Bitri, duhet të tregojnë sidomos të sëmurët kronikë.

Lexo po ashtu Parashikimi i motit në Shqipëri, temperatura deri në 37 gradë Celsius

“Edhe për pacientët kardiakë me kufizime në regjimin hidrik, këshillohet konsumi i 1.5 litra ujë në ditë. Nëse në këta pacientë krijohen situata me humbje të shtuar lëngjesh, mund të konsumohet edhe sasi më e madhe uji, pasi të këshillohen me mjekun e tyre”, tha Bitri.

Për të eliminuar problemet nga temperaturat e larta, Bitri këshillon shmangien e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell, mbrojtjen përmes kapeles dhe rrobave të lehta dhe përdorimin e kremrave mbrojtës.

Mjeku Bitri u shpreh se “jo vetëm të sëmurët kronikë, por të gjithë duhet të konsumojnë gjatë ditës, ujë dhe lëngje, elektrolite, fruta dhe zarzavate”.

Të gjithë ata që vuajnë nga sëmundje kronike duhet të konsultohen me mjekun e familjes apo me specialistin për të përballuar sa më mirë temperaturat e larta të stinës së verës.

Grupet më të rrezikuara ndaj temperaturave të larta janë: të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël si dhe personat që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike si: sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, thyreotoksikoza, sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK), sëmundjet mendore, sëmundjet e veshkave, insuficienca renale, gurët në veshka, gratë shtatzëna etj. /Telegrafi/

Exit mobile version