Site icon Telegrafi

Temperaturat e larta, IKSHPK thirrje qytetarëve të kenë kujdes me ushqimin 

Gjatë kësaj jave do të mbajë mot i nxehtë dhe me temperatura mbi 36 gradë Celsius, ndërkaq Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit.

IKSHPK në një njoftim për media theksua se shumë herë janë ballafaquar me helmime me ushqim, ku qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital.

IKSHPK kërkon nga qytetarët që t’i shmangin produktet që konsiderohen të rrezikshme gjatë këtyre temperaturave të larta dhe ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë.

Lexoni të plotë njoftimin e IKSHPK-së:

Qytetarë të dashur!

Ju lutemi për kujdes të shtuar gjatë gatimit, ruajtjes, shpërndarjes dhe konsumit të ushqimit!

Shumë herë jemi ballafaquar me helmime me ushqim, ku qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital, të cilët falë përkujdesjes së ekipit të mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë.

Kujdes i shtuar ku konsumohet ushqimi!

Shmangia e konsumimit të mishit dhe peshkut, suxhukut dhe produkteve të ngjashme të papërpunuara termikisht!

Shmangia e konsumimit të ushqimit që përmban vezë të freskëta, majonezë, salcat e ndryshme, etj.

Shmangia e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose zier!

Shmangia e konsumimit të frutave dhe perimeve të palara.

Nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë.

Konsumoni qumësht  të pasterizuar ose të zier.

Frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm.

Ushqimi i mbetur të ruhet në frigorifer.

Ushqimi i ngrirë i cili është shkrirë duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet dhe nuk duhet të ringrihet!

Duart duhet të lahen:

-para se të filloni të përgatisni ushqimin

-pasi të prekni mishin e freskët, peshkun, vezët ose perimet

-pas përdorimit të tualetit

-pasi të pastroni hundën

-pasi të prekni një kafshë

-pasi të prekni ndonjë plagë apo prerje në trup.

MOS HANI USHQIM KUDO!

PAKUJDESIA SHKAKTON EPIDEMI ME RREZIK  PËR JETËN E QYTETARËVE!”. /Telegrafi/

Exit mobile version