Telegrafi

Temperaturat e larta detyruan komunën të vendosë ambulancë mjekësore e cisterna uji në sheshin e Prishtinës, flasin qytetarët

Në sheshet e Prishtinës janë vendosur dy cisterna me ujë të pijshëm dhe një ambulancë për tu dalë në ndihmë qytetarëve si pasojë e temperaturave të larta.  Ky aksion është paraparë të mbahet deri të dielën.

Si pasojë e temperaturave të larta në vend, Komuna e Prishtinës së bashku me Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Zjarrfikësit kanë vendosur dy cisterna me ujë dhe një ambulancë në sheshin e Prishtinës për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

Hajrullah Abdullahu është njëri ndër qytetarët që u detyrua të kërkojë ndihmë, i cili pas kujdesit të stafit mjekësor, u shpreh se kjo është një iniciativë e qëlluar.

Kjo iniciativë është shume e qëlluar. Duhet me dal edhe më herët në shesh se temperaturat janë shumë të larta. Njerëzit po janë shumë të varfër s’kanë nga me shku. Kjo iniciativë është shumë e mirë, shumë e qëlluar”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Hajrullah Abdullahu.

Nënkryetari Selim Pacolli, ka pohuar se kjo iniciativë është marrë për t’i dalë në ndihmë qytetarëve duke u bërë thirrje atyre që të mos dalin jashtë gjatë kohës kur temperaturat janë të larta.

“Kemi marrë një iniciativë për vendosjen e dy cisternave të ujit në zonën e brendshme të qytetit dhe kemi një ambulantë për intervenime eventuale të ndihmës së shpejt. Unë u kisha bërë thirrje qytetarëve që së paku në pikun e ditës kur edhe temperaturat janë shumë të larta t’i shmangen qytetit”, deklaroi Selim Pacolli, përcjell RTV Dukagjini.

Mjeku specialist, Sadri Dervishaj ka thënë se kujdes të shtuar duhet të kenë ata persona që kanë probleme me zemër dhe fëmijët.

“Qëllimi ynë është të bëjmë një edukim të qytetarëve, që sadopak të dinë si të ruhen nga vendet e ekspozuara nga dielli, e sidomos nga personat me sëmundje kronike”, shprehet mjeku Sadri Dervishaj.

Samit Shkodra, shef i stacionit të zjarrfikësve, ka thënë se ky aksion është paraparë të mbahet deri të dielën.

“Aksioni ka filluar nga sot nga ora 11:00-17:00. Do të vazhdohet edhe nesër më këtë orar, deri të dielën”, deklaroi Samit  Shkodra.

Kompetentet apeluan qytetaret që të shmangin ekspozimet e panevojshme në diell nga ora 09:00 deri në orën 17:00 dhe të konsumohet sasi e mjaftueshme e ujit./ShpresaMusliu/Telegrafi/