Nxehtësia e skajshme në Kanada shkaktoi vdekjen e mbi 1 miliard krijesave të detit.
Ekologu Detar i Universitetit të British Columbia (UBC), Dr. Chris Harley tha se temperaturat rekorde po japin një efekt shkatërrues, gjegjësisht po “zhdukin” midhjet, kërmijtë, yjet e detit dhe gjallesat e tjera.
Harley vuri në dukje se shumë prej këtyre kafshëve, të njohura si “kafshë intertidale”, janë të prekshme nga valët e nxehtësisë përgjatë vijës bregdetare kur uji tërhiqet, raporton cbc.ca.
“Molusqet janë si fëmijët e vegjël të mbetur në një veturë të parkuar. Kur batica bie, ata janë plotësisht në mëshirën e mjedisit”, tha Harley.
Ai më tutje deklaroi se po punon me ekipin e tij në vijën bregdetare të Vancouverit për të shpëtuar gjallesat gjersa vuri në dukje se midhjet e ngordhura tani mbulojnë shumë vija bregdetare dhe aroma e mbetjeve të tyre ndoshta do të vërehet nga ata që shkojnë në plazh.
Ndryshe, gjatë javëve të fundit disa pjesë të shtetit kanadez kanë raportuar se temperaturat kishin arritur deri në 49 gradë Celsius. /Telegrafi/