Një studim i fundit ka zbuluar se gati 20 për qind e familjeve i mbajnë frigoriferët e tyre në temperaturë të gabuar.
Sipas studiuesve nga Universiteti RMIT në Australi, shumica e familjeve fajësojnë sjelljen e tyre, siç është leximi i gabuar i datës së përdorimit, përpara se të mendojnë se frigoriferi i tyre mund të jetë fajtori – ka thënë Dr. Bhavna Middha, autori kryesor i studimit, duke publikuar raportin e ri.
Megjithëse studiuesit rekomandojnë mbajtjen e produkteve të ftohta midis 2°C dhe 7°C, 17 për qind e njerëzve i mbajnë frigoriferët e tyre më të ngrohtë ose më të ftohtë se kaq.
“Kur ushqimi është shumë i ngrohtë, bakteret shumohen shumë shpejt. Kur ushqimi është shumë i ftohtë, ai mund të ngrijë në frigorifer. Të dyja kushtet çojnë në prishjen e ushqimit”, është shprehur eksperti.
Hulumtuesit thanë se familjet që nuk respektojnë gamën e duhur të temperaturës në frigorifer dhe ngrirës shpesh duhet ta hedhin ushqimin pasi prishet. Për ta luftuar sasinë e ushqimit të humbur në familje, ata studiuan temperaturat e frigoriferëve dhe ngrirësve në 56 shtëpi. Kështu vunë re temperatura të paqëndrueshme në frigoriferë. Disa rafte ishin deri në 10 gradë, ndërsa të tjerët ranë deri në -1 gradë.
Megjithatë, familjet me fëmijë shpesh përjetonin luhatje të temperaturave, pasi frigoriferi hapej deri në 20 herë në ditë. Hulumtimi tregoi se familjet nuk janë të vetëdijshme se frigoriferët e tyre mund ta prishin ushqimin e tyre më shpejt, veçanërisht nëse temperatura në frigorifer është më e lartë se standardi.
Edhe ushqimi në ngrirës ra viktimë e temperaturave të pasakta, me 43 për qind të ngrirësve të testuar si më të ngrohtë ose më të ftohtë se diapazoni i sugjeruar nga -15 deri në -20 gradë.
Konfuzioni në temperatura mund t’i atribuohet gjithashtu burimeve të ndryshme që ndajnë numra të paqëndrueshëm në lidhje me procedurat më të sigurta.
“Shumë nga familjet që intervistuam dhanë informacione kontradiktore për sa kohë mund të mbaheshin ushqimet në frigorifer. Shumë mbetje dhe mish të papjekur u hodhën poshtë vetëm në rast se nuk ishte e sigurt për t’u ngrënë”, kanë thënë studiuesit.
Gati gjysma e frigoriferëve të familjeve pjesëmarrëse ishin më të ngrohtë ose më të ftohtë se diapazoni i sugjeruar i temperaturës. /Telegrafi/