Televizioni shtetëror i Koresë së Veriut ka transmetuar një dokumentar të gjatë mbi takimin ndërmjet udhëheqësit të tyre Kim Jong-un me Presidentin amerikan Donald Trump në Vietnam, por nuk arriti të përmendë se negociatat bërthamore përfunduan pa një marrëveshje.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet janë publikuar të mërkurën në mbrëmje në mes të raporteve se Koreja e Veriut është duke restauruar disa objekte në vendin e saj të lançimit të raketave me distanca të gjata që u çmontuan vitin e kaluar si pjesë e hapave të çarmatimit.
Ndryshe, bisedimet midis Trump dhe Kim javën e kaluar përfunduan papritmas pasi palët nuk arritën të arrijnë një marrëveshje për të ecur përpara për programin bërthamor të Koresë së Veriut në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Pas kësaj, secila palë fajësoi tjetrën, me Trumpin duke këmbëngulur se Pyongyang kërkoi fund të gjitha sanksioneve, ndërsa Veriu pretendonte se kishte dashur vetëm që disa masa të lehtësoheshin.
Dokumentari, i cili nuk flet për negociatat e dështuara, tregon një Kim të qeshur, derisa flet me Trump – duke ecur së bashku brenda një hoteli në Hanoi javën e kaluar.
Pamjet gjithashtu tregojnë Kim duke vizituar Ambasadën e Koresë së Veriut, ku disa zyrtarë të ambasadës dhe familjarët e tyre qanin me emocione para se të merrnin një foto grupore me sfondin e një tabloje të madhe të babait dhe gjyshit të ndjerë të Kim.
Në dokumentar citohet Kim të thoshte se Koreja e Veriut dhe SHBA duhet t’i japin fund armiqësisë dhe konfrontimit të tyre gjatë dekadave.
Dokumentarët e Koresë së Veriut janë zakonisht propaganda që nderojnë Kim, subjekt i një kulti të fortë personaliteti midis 25 milionë njerëzve të Veriut. /Telegrafi/