Site icon Telegrafi

Televizioni rus akuzohet për editim të imazhit Kim-Lavrov, me photoshop ia “kthyen” buzëqeshjen liderit verikorean (Foto)

Një televizion rus është akuzuar për manipulim të një fotografie të Kim Jong-un, fytyrën e të cilit e kanë bërë të duket se është duke qeshur me efekte speciale siç është Photoshopi, shkruan euronews.

Lideri i Koresë së Veriut u takua javën e kaluar me Ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, në Pyongyang për të diskutuar për “perspektivën e vendit, gjendjen aktuale dhe bashkëpunimin”, thuhej në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, transmeton Telegrafi.

Përbri kësaj komunikate ishte publikuar edhe një fotografi e Kim Jong-un dhe Lavrovit duke shtrënguar duart para një murali, ku Kim si gjithmonë pozoi me gjakftohtësi.

Megjithatë një kronikë që është transmetuar live të shtunën, televizioni rus Rossiya-1, shfaq Kim Jong-un duke qeshur derisa pozonte me Lavrovin.

Por, ky dallim mes fotografisë së parë dhe asaj që e ka publikuar televizioni Rossiya-1 nuk kaloi pa u vërejtur. Politikani Ilya Yashin, partia e të cilit është në opozitë, ka kritikuar televizionin për manipulim me foton.

“Janë duke i testuar aftësitë në liderin e Koresë së Veriut, por nesër do të tentojnë të na bëjnë të lumtur me buzëqeshjen e tij”, ka shkruar ai në dy versionet e publikuara të fotografisë.

Një llogari satirike në Twitter, Fake-MIDRF gjithashtu kritikoi televizionin rus për editimin e fotos, ku thuhej “lajmi i javës”, buzëqeshja e Kim Jong-un është edituar me photoshop.

Megjithatë, autori i programit Dmitry Kiselyov ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk është edituar buzëqeshja e liderit të Koresë së Veriut.

Televizioni Rossiya-1 i afërt me qeverinë ruse, është akuzuar për përdorimin e fotografive tjera të rreme në raste tjera në të kaluarën. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version