Telegrafi

Telemjekësia lidh virtualisht Kosovën e Shqipërinë

Dr. Rifat Latifi, kreator i projektit të Telemjekësisë në trevat shqiptare, nga Tirana e ka vlerësuar hapjen e telemjekësisë në Shqipëri si një të arritur të jashtëzakonshme që po bën shkenca shqiptare, ndërsa në këtë mes ai ka lavdëruar projektin e ngjashëm i cili qe disa vite udhëhiqet me sukses në Kosovë, përmes Qendrës së Telemjekësisë së Kosovës.

Dr. Ilir Tolaj, Sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, përmes lidhjes direkte të realizuar midis Tiranës e Prishtinë dhe qendrave të tjera ku tashmë është instaluar telemjekësia, tha se hapja e telemjekësisë edhe në Shqipëri, do t’i kontribuojë ngritjes së dijes në shkencën e mjekësisë shqiptare, por do të sjell dobi edhe për shëndetin si çështje globale.

Finalizimi i 6 qendrave të para të Telemjekësisë në Shqipëri (Tiranë, Durrës, Kukës, Shkodër, Vlorë dhe Berat) është financuar nga USAID Albania, dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe implementuar nga IVEH.

Me rastin e këtij inaugurimi në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës (QKT) është realizuar lidhja e parë e drejtpërdrejt mes 7 qendrave të Telemjekësisë në Kosovë (Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë dhe Skënderaj) me 6 qendrat e Telemjekësisë në Shqipëri, (Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Berat) dhe me Universitetin e Arizonës në SHBA.

Komunikimi midis qendrave ka qenë live dhe nga pjesëmarrësit e kësaj ceremonie virtuale, u vlerësuar se hapja e qendrave të Telemjekësisë në Shqipëri mundëson që të bëhet integrimi virtual midis Kosovës e Shqipërisë në fushën e shkencës së mjekësisë. /Telegrafi/