Telegrafi

Telekomi slloven zbret pagat për 10 për qind

Bordi i drejtorëve të Telekom Sllovenija ka marrë vendimin për uljen e pagave, ndërsa punëtorët e IPKO-s janë njoftuar të premten për këtë vendim. “Më 11 janar 2011, Bordi i drejtorëve të Telekom Sllovenija ka vendosur që të gjitha pagat e punëtorëve brenda Telekom Sllovenia Group të ulen për 10 për qind”, thuhet në njoftim zyrtar që Telekom Sllovia iu është drejtuar të gjitha kompanive simotra në të gjitha njësitë nëpër rajon, duke përfshirë edhe IPKO-n.

Vendimi për uljen e pagave hyn në fuqi nga data 1 shkurt 2011, ndërsa pagat e punëtorëve do të ulen në të njëjtën vlerë. Në letrën e Telekom Sllovenia thuhet se konsulentët e grupit do të kenë një reduktim të pagave për 15 për qind. “Aneksi i kontratës i të gjithë punëtorëve të Telekom Sllovenija Group do të amendamentohet, duke e reflektuar këtë ndryshim”, thuhet tutje në njoftimin zyrtar.

Vendimi është përfundimtar, ndërsa kërkohet që të gjithë të punësuarit ta pranojnë vendimin i cili është obligues”. Megjithatë, në njoftimin zyrtar që u është bërë punëtorëve të këtij grupi telekomunikues, thuhet se vendimi për uljen e pagave është i përkohshëm dhe se i njëjti do të rishikohet përsëri pas arritjes së objektivave të biznesit, të cilat i ka grupi.

Ulja e pagave nuk do të zbatohet vetëm në Gibtelecom, i cili është pjesë e Telekom Sllovenija Group. Ndërsa, punëtorët e të gjitha kompanive të tjera në rajon, duke përfshirë IPKO-n, One në Maqedoni, Primo në Shqipëri dhe kompani të tjera që janë në këtë grup do të kenë ulje të pagave. Për vitin 2011, Telekom Sllovenija Group ka parashikuar 28 milionë euro profit, në nivel të grupit.

Zyrtarët e IPKO-s i kanë thënë gazetës se nuk mund t’i komentojnë vendimet e Telekom Sllovenija. Megjithatë, burime brenda kësaj kompanie i kanë konfirmuar gazetës së e kanë pranuar lajmin për uljen e pagave për 10 për qind. /Koha/Telegrafi/