Bordi i Drejtorëve i Telekomit të Kosovës të mërkurën, ka shpallur konkursin për përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës. Ky konkurs është hapur vetëm dy javë nga dorëheqja Gent Begollit.
Sipas një njoftimi për media, Telekomi shpallja e konkursit ka për synim përzgjedhja e duhur e një kandidati me kualifikim, integritet të njohur dhe përvojë të nevojshme profesionale që do të udhëheq ndërmarrjen në përputhje me parimet e njohura për qeverisjen korporative të ndërmarrjeve publike.
Duke u bazuar në marrëveshjen e mirëkuptimit mes Qeverisë dhe ambasadës britanike, Telekomi ka kërkuar përkrahje, gjithëpërfshirje dhe konsulentë nga ekspertët ndërkombëtarë për rekrutimin dhe përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv.
“Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës Sh.A., konsideron se procesi i aplikimit dhe përzgjedhjes do të zhvillohet me procedurë të hapur dhe transparente, që do të jetë në pajtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Pavarësisht kësaj, Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës Sh.A., i është drejtuar me një letër aksionarit, në këtë rast Qeverisë së Republikës së Kosovës, për përfshirjen e Telekomit të Kosovës në projektin e Ambasadës Britanike, për përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv”, thuhet në njoftim.
Bordi i Drejtorëve të Telekomit po ashtu ka njoftuar se ka hartuar strategjinë për daljen nga gjendja ekzistuese e Telekomit, strategji që, sipas tyre, përfshin procesin e ristrukturimit dhe uljen e shpenzimeve të ndërmarrjes.
“Për me tepër, tashmë është marrë edhe një vendim për mosrritjen e numrit të punëtorëve. Të gjitha këto vendime, dhe shumë të tjera, janë marrë me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar të kësaj ndërmarrje, zhvillimin dhe implementimin e përpiktë të strategjisë për përmirësimin e përformancës biznesore duke optimizuar proceset dhe shërbimet teknologjike. Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës Sh.A., duke garantuar transparencë të plotë gjatë këtij procesi aplikues dhe përzgjedhës, inkurajon të gjithë kandidatët potencial që të aplikojnë për këtë pozitë, pasi që vlerësimi do të bëhet nga një panel profesional, që do krijohet enkas për mbikëqyrje në këtë rast”, thekson komunikata për media e Telekomit të Kosovës. /Telegrafi/