Pas intervistimit të kryesuesit të Bordit të Drejtorëve në ARKEP, Kreshnik Gashi, Komisioni hetimor parlamentar lidhur me gjendjen në PTK dhe Vala ka vazhduar me intervistimin e kryesueses së Bordit të Drejtorëve në Telekom, Besa Shatri-Berisha.
Kjo e fundit ka treguar se çfarë do të ndodhë me numrat e klientëve të Z-Mobile pas ndërprerjes së kontratës me Telekomin e Kosovës.
“Pas vendimit të bordit, ne e kemi njoftuar Z-Mobile se kontrata nuk do të vazhdojë tutje. Ne kemi brenda Telekomit ekspertë ligjorë, të cilët aktualisht janë duke i hartuar të gjitha hapat. Kemi dërguar edhe një letër në ARKEP, që kjo fazë kalimtare të jetë sa më pak e ndjeshme, për këto 30 ditë, deri në 120 ditë. Shpresojmë që brenda këtyre ditëve t’i kthejmë 90 për qind të abonentëve në Telekom”, tha ajo.
Shatri-Berisha gjatë raportimit në komision tha se ka pasur shumë pika të mosmarrëveshjes me Z- Mobile, ndër tjera, edhe çështja e çmimeve.
“Ne i kemi një borxh Z-Mobile, ka edhe borxhe të pathyera që ata na i kanë neve. Kemi ushtruar 3 kallëzime penale. Nga implementimi i kësaj kontrate Telekomi ka humbur 15 milionë euro. Jemi në pritje të prokurorisë. Dy kallëzimit e fundit penale janë gjatë këtij viti, pas ekspertizës financiare”, u shpreh Shatri-Berisha.
Anëtari i komisionit Haxhi Avdyli ka kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhë me numrat e Z-Mobile.
Për këtë Besa Shatri-Berisha tha se Z- Mobile nuk ka infrastrukturë të saj, andaj sipas saj këta numra i takojmë Telekomit.
“Sa i përket numrave, Z-Mobile ka nën shfrytëzim numrat e Telekomit, nuk ka infrastrukturë të vet. Komplet shfrytëzimet duhet të kthehen në Telekom. Unë i kisha bërë thirrje ARKEP-it që të mbajë anën e drejtë, që të mos mbajë anën e operatorit virtual. Shërbimet do t’i kthejmë në Telekom. Ka shumë indikacione që Telekomi është duke u përgatitur për arbitrazh të ri. Telekomit nuk i duhet një operator virtual. Kemi kapacitet që të mbulojmë vetë. Ne nuk mund ta ndalim të na paditë në arbitrazh. Gjendja aktuale në Telekom është shumë e keqe, kohëve të fundit kemi pas edhe rënie të shërbimeve”, tha ajo.
Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka pyetur atë se cili është roli i ARKEP-it gjatë kësaj faze tranzitore.
Sipas Shatri-Berishës, ARKEP duhet të ketë rol monitorues e jo interpretues.
“Ne i kemi shkruar letër ARKEP-it se nuk do të vazhdojë kontrata me Z-Mobile. Roli i ARKEP-it duhet të jetë monitorues e jo interpretues. Ideja është që ata numra t’i kthehen Telekomit. Është e palogjikshme të thuhet që numrat janë të Z-Mobile, të cilët ky i fundit i ka marrë pas vendimit të arbitrazhit”, ka thënë ajo. /KP/