Telegrafi

Telegrafi raportoi për problemin me ashensor në Shtëpinë e të Moshuarve, kompania vendore shprehet e gatshme ta riparojë

Pas raportimit të Telegrafit, se në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë banorët që janë me karroca nuk mund të dalin jashtë për shkak se nuk ka një ashensor të duhur për ta, kompania vendore ka shprehur interesimin për ta rregulluar e mirëmbajtur atë.

Kompania “Hymeri Elevators” dhe “Mjeshtri” kanë thënë se janë të gatshëm ta mirëmbajnë ashensorin pa pagesë për një vit.

Menaxheri për riparime në kompanitë e lartë cekura, Fatos Maloku, konfirmoi për Telegrafin, se kanë dërguar në Shtëpinë e të Moshuarve një ekip që ta bëjnë edhe ndërtimin e tij, por që tashmë një ekip tjetër ka nisur rregullimin e ashensorit.

“Kompania Hymeri Elevators L.L.C dhe Mjeshtri SH.P.K do të mirëmbajë ashensorin për një vit”, tha Maloku.

Ndryshe sot pas raportimit për herë të dytë të Telegrafit kanë ndodhur edhe lëvizje të reja.

Lexo po ashtu Thirrja e qytetarit në karrocë në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë: Kemi mbetur të mbyllur që një vit, nuk e kanë rregulluar ashensorin

Siç merr vesh Telegrafi pas raportimeve që janë bërë për problemet në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë për ashensorin, tashmë ekipet kanë filluar punën dhe pritet ta finalizojnë atë brenda javës që vjen.

Në këtë shtëpi, banorët që kanë qenë me karroca nuk kanë mundur të dalin jashtë për më shumë së një vit. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kishte premtuar që do ta rregullonte këtë problem në vitin 2020 por që kishte dështuar ta realizonte premtimin e tyre. /Telegrafi/