Telegrafi

I telefonuan ndihmës së shpejtë për të kërkuar ndihmë, harruan që biseda regjistrohej – doli se çifti francez e kishin rrahur trevjeçarin deri në vdekje

Një çift nga Franca janë dënuar me burgim për shkak të vdekjes së fëmijës së gruas, e krejt kjo u zbulua gjatë një telefonate të bërë te shërbimet emergjente (policia, zjarrfikësit e ndihma e shpejtë).

Loic Vantal, 28-vjeç, është dënuar me 20 vite burgim për vrasjen e trevjeçarit Tony në nëntor të vitit 2016, transmeton Telegrafi.

E ëma e viktimës, Caroline Letoile, asokohe 19-vjeçe, i kishte telefonuar shërbimeve emergjente për të raportuar se djali i saj ishte pa vetëdije.

E derisa po priste në linjë dhe nuk ishte në dijeni që biseda regjistrohet për përdorim të brendshëm, ajo i kishte thënë partnerit të saj: “unë do të them se është rrëzuar nga shkallët”.

Letoile gjithashtu është dëgjuar duke thënë: shkallët do të funksionojnë, apo jo? Shkallët e apartamentit… E të gjitha gjërat e tij do t’i fshehu që të mos u shërbejnë si prova”.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, personeli i ndihmës së shpejtë hasën në djaloshin që nuk jepte shenja jete dhe ishte i mbuluar me mavijosje në apartament, në lindje të qytetit francez Reims.

Megjithatë ai u dërgua në spital ku edhe u konfirmua vdekja e tij. E kur policia u ballafaqua me Vantal, ai pranoi se e kishte goditur pa ndërprerë fëmijën që kur e kishte takuar Letoile tre muaj më parë.

Gjatë seancës dëgjimore, Letoile është pyetur se pse nuk kishte biseduar me policët për rrahjen që ia kishte shkaktuar Vantal të birit të saj.

“Isha e frikësuar”, ka thënë ajo shkurt. Megjithatë është dënuar me tre vite burgim për mos raportim të “dhunës”. /Telegrafi/