Telefoni celular i Jeff Bezos u hakua pasi në vitin 2018 ai mori një mesazh në WhatsApp nga princi i kurorës së Arabisë Saudite.
Kështu së paku shkruan mediumi prestigjioz britanik, The Guardian, i cili raportoi të martën se miliarderi i Amazon kishte marrë një mesazh nga numri i telefonit personal i Mohamed Bin Salman, i cili përmbante “një video dokument të rrezikshëm”, përcjell Telegrafi.
Sipas ekzaminimit të telefonit më pas, mesazhi u dërgua më 1 maj të vitit 2018 dhe supozohet se brenda disa orësh, u nxor një sasi e madhe e të dhënave nga telefoni i Bezos.
Gjithsesi, sipas mediumit në fjalë, nuk ka detaje se çfarë lloj të dhënash u morën.
Në atë kohë, Bezos dhe bin Salman kishin shkëmbyer mesazhe miqësore.
Kjo kishte ndodhur pesë muaj para se Jamal Khashoggi – kolumnist për gazetën e Bezos, The Washington Post – dyshohet se u vra nga regjimi i Arabisë Saudite.
Megjithatë, Arabia Saudite ka mohuar të kenë pasur dorë dhe thonë se vrasja e Khashoggit ishte një aksident për të cilin disa persona tani ndodhen në burg – edhe pse gjyqi ishte i fshehtë dhe u kritikua shumë si një ‘turp’.
Sipas burimeve të The Guardian, Agnès Callamard, raportuesi i posaçëm i OKB i cili heton vrasjet jashtëgjyqësore, është bërë i vetëdijshëm për hakimin e dukshëm nga Arabia Saudite.
Hetuesit atje tani po shqyrtojnë një qasje zyrtare ndaj Arabisë Saudite për të kërkuar një shpjegim, thonë burimet e tyre pa emër.
Arabia Saudite më parë mohoi të ketë hakeruar telefonin e Bezos pasi hetuesi privat i Bezos, Gavin de Becker, bëri kërkesë në mars.
Një avokat i Bezos i ka thënë The Guardian se “nuk kam asnjë koment për këtë përveç që të them se z. Bezos po bashkëpunon me hetimet”. /Telegrafi/