Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, shpreson që diskutimet e Gjenevës të shënojnë progres gjatë këtyre ditëve me qëllim zgjatjen e armëpushimit në të gjithë Sirinë dhe rinisjen e bisedimeve të paqes për ti dhënë fund luftës në vend.
“Shpresojmë të shënojmë progres. Por Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara bën thirrje për një ndërprerje të plotë të luftimeve në mbarë vendin si dhe akses të ndihmës humanitare në të gjithë territorin. Natyrisht që kjo nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh ende”, tha Kerry menjëherë pas mbërritjes në Gjenevë, duke shtuar se në këto orë kritike po punohet për një bashkëpunim me Rusinë.
Vizita e ngutshme e Kerrit në Gjenevë pasoi një telefonatë nga i dërguari i KB në Siri, Staffan de Mistura në Shtetet e Bashkuara dhe Rusi për të shpëtuar armëpushim dy-mujor në Siri, pas luftimeve të ashpra në qytetin e Aleppos.
Moska dhe Uashingtoni ndërmjetësuan marrëveshjen e armëpushimit më 27 shkurt, e cila ka hyrë në fuqi në perëndim të Sirisë, por që përjashton Shtetin Islamik dhe Al Kaedën.
Fuqitë botërore dhe Kombet e Bashkuara po përpiqen të shpëtojnë armëpushimin, duke shpresuar edhe në zgjatjen e tij.
Kerry e bëri të qartë se armëpushimi ishte e nevojshme në të gjithë Sirinë teksa situata atje është alarmante. /Telegrafi/