Site icon Telegrafi

Telefonata e rrallë mes udhëheqësve të Turqisë e Greqisë

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dhe Presidenti turk, RexhepTajip Erdogan, zhvilluan të premten një bisedë telefonike mbi ndikimin e pandemisë së COVID-19 në të dy vendet.

Lajmi u njoftua nga zyra e udhëheqësit grek.

Biseda telefonike konsiderohet si një kontakt i rrallë mes dy vendeve fqinje të cilët ndajnë qëndrime të ndryshme për një seri çështjesh.

Erdogan dhe Mitsotakis folën mbi mënyrat e përballimit të efekteve të coronavirusit, rihapjen e kufijve dhe rivendosjes së flukseve turistike, thuhej në një deklaratë të zyrës së kryeministrit Mitsotakis.

“Mitsotakis dhe Erdogan ranë dakort t’i mbajnë hapur kanalet bilaterale të komunikimit”, thuhej më tej.

Një burim që ka dijeni mbi çështjen tha se “të dy udhëheqësit nuk diskutuan çështje politike të rëndësishme, por ranë dakord që tensioni është relativisht i lartë dhe se kanalet e komunikimit duhet të rikthehen”.

“Nuk mund të ketë një ulje të tensioneve nëse palët nuk bisedojnë”, tha ai.

Dy vendet fqinje e partnerë në NATO, Greqia dhe Turqia, kanë marrëdhënie të acaruara dhe dallime mbi çështje të ndryshme siç janë të drejtat mbi hapësirën ajrore, kufijtë detarë dhe Qipron e ndarë etnikisht. /VOA/

Exit mobile version