Telegrafi

Telefonat e mençur para kompjuterëve

Sipas rezultateve të hulumtimit të tregut të kryer nga ana e kompanisë IDC-së, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar prodhuesit kanë shitur më shumë telefona të mençur sesa kompjuterë.

Në tre muajt e fundit të vitit të kaluar janë shitur 101 milionë telefona të mençur celularë, që është rritje prej 87 për qind krahasuar me një vit më parë, derisa shitjet e kompjuterëve personalë janë rritur për 3 për qind, në 92 milionë njësi. Me këtë shitjet e telefonave të mençur kanë tejkaluar shitjet e kompjuterëve dukshëm para pritjeve të analistëve, të cilët kishin parashikuar se kjo gjë do të ndodhte diku kah mesi i këtij viti.

Në IDC theksojnë se për rritjen e madhe të shitjes së telefonave celularë meritor është Android të cilin e kanë pranuar një numër i madh i prodhuesve duke tejkaluar kështu si Symbian ashtu edhe iOS si platforma më e popullarizuar për telefonat e mençur.

Mirëpo, Nokia edhe më tutje mbetet prodhuesi udhëheqës i telefonave të mençur, pjesëmarrja e së cilës nga 38.6 sa kishte një vit më parë ka rënë në 28 për qind. E dyta është Apple e cila përkundër shitjeve dyfish më të mëdha ka mbajtur përqindjen e njëjtë në treg sa kishte një vit më parë, respektivisht 16.1 për qind, pasuar nga Research in Motion pjesëmarrja e së cilës nga 19.9 ka rënë në 14.5 për qind. Pozitën e katërt e mban Samsung me 9.6 për qind, gjersa HTC është e pesta me 8.5 për qind pjesëmarrje në treg. /Telegrafi/