Site icon Telegrafi

Telefonat Android do të vijnë me lidhje satelitore

Një partneritet i ri midis firmës së telefonave satelitorë Iridium dhe gjigantit të çipave Qualcomm do të sjellë lidhjen satelitore me telefonat inteligjentë Android premium më vonë gjatë vitit.

Kjo do të thotë se në vendet ku nuk ka mbulim celular, telefonat mund të lidhen me satelitë kalimtarë për të dërguar dhe marrë mesazhe, transmeton Telegrafi.

Çipat e Qualcomm gjenden në shumë telefona inteligjentë të pajisur me Android.

Apple në anën tjetër solli një veçori satelitore për linjën e iPhone 14 në shtator 2022.

Shërbimi është aktualisht i disponueshëm vetëm për dërgimin dhe marrjen e mesazheve bazë në rast urgjence.

Prodhuesi britanik i smartfonëve Bullitt ishte i pari që prezantoi shërbimin e tij satelitor, duke mposhtur Apple. Është gjithashtu për përdorim urgjent dhe do të jetë i disponueshëm në zona të zgjedhura kur të dalë për herë të parë.

Partneriteti i ri do ta bëjë të njëjtin shërbim të qasshëm për miliona më shumë përdorues të telefonave inteligjentë, pa i lidhur ata me një markë të caktuar – por do të jetë në dorë të prodhuesit që ta mundësojë atë.

Iridium është sistemi origjinal telefonik satelitor, duke dërguar satelitin e tij të parë në orbitë në 1997. Ai përfundoi një rifreskim të rrjetit të tij prej 75 anije kozmike në 2019.

Satelitët mbulojnë të gjithë globin dhe fluturojnë në orbitë të ulët, rreth 780 kilometra me Tokën dhe grupet e tyre mund të komunikojnë me njëri-tjetrin, duke kaluar të dhëna mes tyre.

Qualcomm tha se fillimisht funksioni i ri, i quajtur Snapdragon Satellite, do të inkorporohet vetëm në çipat e tij premium, kështu që nuk ka gjasa të shfaqet në pajisjet buxhetore.

Por përfundimisht do të lansohet në tableta, laptopë dhe madje edhe automjete, dhe gjithashtu do të bëhet një shërbim që nuk kufizohet vetëm në komunikimin e urgjencës – megjithëse ka të ngjarë të ketë një tarifë për këtë.

Lidhja satelitore konsiderohet gjerësisht si kufiri tjetër për telefonat celularë sepse trajton problemin e – zonave ku nuk ka qasje në rrjet. Këto priren të jenë më të zakonshme në zonat rurale ose të largëta. /Telegrafi/

Exit mobile version