Telegrafi

“Telashet” që do të trashëgojë shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte

Një veteran i BE-së, ish-kryeministri holandez Mark Rutte vlerësohet se është i pozicionuar mirë për të trajtuar sfidat e NATO-s.

Kështu kanë vlerësuar ekspertët e mbrojtjes, ndërsa Mark Rutte merr udhëheqjen e NATO-s dhe teksa pakti i mbrojtjes po përballet me sfida të reja dhe të vjetra.

Por a është ish-kryeministri holandez i vendosur për t’i përmbushur ato?

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, 57-vjeçari, një nga liderët demokratikë më jetëgjatë në Evropë, do t’i duhet të përballet me një Rusi luftarake dhe me “kërcënimin potencial ekzistencial” nga Shtëpia e Bardhë e Donald Trump.

Rutte, një i diplomuar në histori, që nga viti 2010 ka kryesuar katër qeveri të ndryshme në Holandë – por dha dorëheqjen në korrik pasi koalicioni i tij katërpartiak u shpërbë për mënyrën e frenimit të migracionit, shkruan mediumi në fjalë, përcjell Telegrafi.

Që nga e marta (1 tetor), ai do të marrë detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të aleancës nga 32-vende të NATO-s, pasi ish-kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg tërhiqet – dhe historia e karrierës së Rutte mund ta vendosë atë në një pozicion unik të mirë.

Zgjedhjet në SHBA

Rutte merr detyrën vetëm një muaj përpara se SHBA të shkojë në zgjedhje për të vendosur nëse Donald Trump ose Kamala Harris do të udhëheqin anëtarin më të madh të NATO-s.

Kjo bën “një alarm në vete”, duke qenë se Trump është treguar “i vakët” në lidhje me mbështetjen për Ukrainën dhe në përgjithësi për paktin e sigurisë transatlantike.

Megjithatë, ka ende shumë që nuk dihet se çfarë mund të nënkuptojë një administratë e dytë Trump për paktin e Atlantikut të Veriut, thotë analistja Sophia Besch për Euronews.

Por nëse Uashingtoni bën thirrje për një “NATO shumë, shumë më të vogël, atëherë ajo bëhet çështje ekzistenciale”, vlerëson Besch, e cila është një anëtare në Carnegie Endowment for International Peace – e cila megjithatë mendon se ka mënyra për të minimizuar këtë rrezik.

Ajo tregon për debatet e fundit gjatë fushatës presidenciale ku Trump pretendoi meritën për bindjen e anëtarëve të tjerë të NATO-s që të shpenzonin më shumë për ushtritë e tyre, duke sugjeruar që evropianët “ta qetësojnë atë”.

Rutte shihet si një lider me këmbë në tokë, shpesh i fotografuar duke ngarë biçikletën e tij rreth qytetit të tij të lindjes në Hagë dhe duke kafshuar një mollë ndërsa shkon në një takim nga zyra e tij kryeministrore.

Sfidat tjera

Kushdo që është në Shtëpinë e Bardhë, ekspertët bien dakord që Evropa duhet të rrisë shpenzimet e mbrojtjes duke pasur parasysh agresionin rus.

Vetë Rutte ka qenë një “mbështetës shumë i fortë” i Ukrainës, tha Oana Lungescu, një anëtare e shquar e një instituti për mbrojtje dhe siguri në Mbretërinë e Bashkuar, duke përmendur aeroplanët luftarakë, municionet dhe garancitë e sigurisë të ofruara nga Holanda gjatë mandatit të tij.

Si Besch ashtu edhe Lungescu kanë përmendur edhe kërcënimet e reja nga Kina, “shfaqja e muskujve ushtarakë” të së cilës po acaron gjithnjë e më shumë SHBA-në.

Por sfida më e madhe e Rutte do të jetë ndoshta më e vjetra e NATO-s: Rusia.

“Parandalimi dhe mbrojtja janë në zemër të NATO-s sot dhe do të mbeten në zemër të NATO-s për të ardhmen e parashikueshme”, vlerëson Lungescu, duke shtuar: “Kjo është një botë e rrezikshme, e cila nuk po bëhet më pak e rrezikshme”. /Telegrafi/