Telegrafi

Tekstura e ushqimit ndikon në perceptimin e kalorive dhe kontrollin e porcionit

Sipas një studimi të udhëhequr nga Dipayan Biswas, profesor marketingu në Universitetin e Floridës Jugore, konsumatorët perceptojnë se ushqimet më të forta ose me teksturë më të papërpunuar kanë më pak kalori.

I botuar në “Journal of Consumer Research”, artikulli sugjeron se mënyra se si ushqimi ndihet brenda gojës tonë ndikon në llogaritjen e kalorive të konsumuara. Kështu, ngrënësit mund të ndikohen që të konsumojnë më shumë ushqim i cili ndihet më i fortë apo i papërpunuar.

Puna e Biswas u ndihmua nga Courtney Szocs, gjithashtu nga Universiteti i Floridës Jugore, si dhe studiuesja nga Universiteti i Michiganit, Aradhna Krishna, dhe studiuesi nga Universiteti i Columbisë, Donald R. Lehmann.

“E kemi studiuar lidhjen në mes të asaj se si ushqimi ndihet në gojën tonë dhe sasisë që e hamë, llojet e ushqimit që i zgjedhim, dhe sa kalori mendojmë se jemi duke i konsumuar”, shkruajnë autorët.

Hulumtuesit arritën në konkluzionet e tyre duke rekrutuar vullnetarë që do të shijojnë një shumëllojshmëri ushqimesh – disa të forta, disa të papërpunuara, të tjerat të buta, transmeton Koha.net. Më pas, ata kërkuan nga konsumuesit që të bëjnë vlerësime kalorish për ushqimin.

Studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit në studim jo vetëm që kishin më shumë të ngjarë t’i vlerësojnë totalet e ulëta të kalorive, por gjithashtu kishin më shumë të ngjarë të hanë më shumë ushqime që ishin më të forta dhe të papërpunuara.

Biswas dhe bashkëhulumtuesit e tjerë shpresojnë se gjetjet e tyre nuk do të përdoren për të manipuluar me konsumatorët që të hanë më shumë ushqim të pashëndetshëm, por t’i ndihmojnë ithtarët e ushqimit të shëndetshëm se si të përfshijnë shprehi më të mira të ngrënies.

"Të kuptuarit e asaj se si tekstura e ushqimit mund të ndikojë në perceptimet e kalorive, zgjedhjen e ushqimit, dhe sasinë e konsumit mund të ndihmojë në shtytjen e konsumatorëve për të bërë përzgjedhje të shëndetshme", përfunduan autorët. /Telegrafi/