Telegrafi

Tekstet e reja shkollore nga shtëpia botuese “Dukagjini”

Pas botimit të teksteve shkollore të reja për klasat 4 dhe 9, shtëpia botuese “Dukagjini” sjell edhe librat e rinj për klasën e pestë, në lëndët: Matematikë, Shoqëria dhe mjedisi, Shkathtësi për jetë, Edukatë fizike sportet dhe shëndeti, Edukatë figurative dhe Edukatë muzikore, si dhe, po ashtu, për lëndët: Njeriu dhe natyra 3, Biologji 8, Art figurativ 8 dhe Gjeografi 12.

Librat janë hartuar nga profesionistët më të zotë të fushave përkatëse dhe duke ndjekur metodologji bashkëkohore, si dhe në përputhje të plotë me kurrikulën dhe kriteret e paracaktuara nga MAShTI. Ata kanë kaluar nëpër filtra të ndryshëm, në mënyrë që të jenë sa më të përshtatshëm për moshën e nxënësve dhe të plotësojnë kërkesat e mësimdhënësve dhe rezultatet. Kështu, të gjithë librat posedojnë redakturë shkencore, vlerësim pedagogjik, vlerësim profesional të përshtatshmërisë me kurrikulë, si dhe kontrollim nga Qendra Kosovare për Barazi Gjinore.

Në këtë mënyrë, karakteristikë e këtyre teksteve shkollore janë: karakteri edukativ dhe informativ, përshtatshmëria me moshën e nxënësve, përkimi i të dhënave me të arriturat bashkëkohore, eliminimi i stereotipave dhe gjuhës diskriminuese, promovimi i barazisë gjinore, tolerancës e solidaritetit, si dhe aftësimi i individëve drejt karrierës dhe kontribuimit në shoqëri.

Shtëpia botuese “Dukagjini”, bashkë me librat bazë dhe fletoren e punës, sjell edhe librat e mësuesit – tashmë sipas një modeli të ri, për herë të parë në arsimin kosovar. Këta libra, të hartuar për t’i ndihmuar mësuesit/et për mësimdhënie më të thjeshtë, efikase dhe gjithëpërfshirëse, e kanë të përfshirë edhe librin bazë në vete, ku mundësojnë elaborimin e çdo njësie mësimore dhe strukturimin e çdo ore mësimore, sipas metodologjive më të dëshmuara. Ata, po ashtu, përmbajnë edhe planet vjetore dhe planet sipas periudhave.