Site icon Telegrafi

Teksasi i ofron Trumpit 567 hektarë tokë për ‘objektet e deportimit’ të emigrantëve pa dokumente

Autoritetet e Teksasit thonë se janë të gatshme t’i ofrojnë presidentit të zgjedhur Donald Trump 567 hektarë tokë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, për të ndërtuar objekte ndalimi për emigrantët pa dokumente.

Në një letër, Zyra e Përgjithshme e Tokës së Teksasit tha se mund të përdoret për të ndërtuar objekte për “përpunimin, ndalimin dhe koordinimin e dëbimit më të madh të kriminelëve të dhunshëm në historinë e vendit”.

Trump është zotuar vazhdimisht të dëbojë miliona emigrantë pa dokumente dhe të mobilizojë Gardën Kombëtare për të ndihmuar në realizimin e këtij premtimi, transmeton Telegrafi.

Plani i tij, megjithatë, ka të ngjarë të përballet me pengesa të mëdha financiare dhe logjistike, si dhe sfida të menjëhershme ligjore nga grupet e të drejtave të njeriut.

Letra, e botuar në internet dhe dërguar Trumpit në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida, vë në dukje se pronari i tokës së blerë së fundmi kishte refuzuar të lejonte ndërtimin e një muri kufitar atje, dhe “bllokoi në mënyrë aktive zbatimin e ligjit” për të hyrë në të.

“Tani është në thelb tokë bujqësore, kështu që është e rrafshët, është e lehtë për t’u ndërtuar. Ne mund të vendosim shumë lehtë një qendër paraburgimi atje”, tha Komisioneri i Tokës së Teksasit, Dawn Buckingham në një intervistë dhënë për Fox News.

Qeveria e shtetit në Teksas, e cila nisi operacionin e saj të njëanshëm të sigurisë kufitare pasi Trump la detyrën, ka qenë gjerësisht mbështetës i premtimeve të Trump për të forcuar kufirin SHBA-Meksikë.

Buckingham tha se ajo ishte “qind për qind me zotimin e administratës Trump për t’i larguar këta kriminelë nga vendi ynë”.

Por guvernatorët demokratë të tre shteteve të tjera kufitare jugore – Kalifornia, Arizona dhe New Mexico – kanë thënë se nuk do të ndihmojnë deportimet masive. /Telegrafi/

 

Exit mobile version