Site icon Telegrafi

Teknologjia kundër demokracisë

Instagrami, një platformë për shpërndarje fotosh e zotëruar nga Facebooku, së fundmi iu bind një kërkese të qeverisë ruse që të hiqte postimet e liderit të opozitës Alexey Navalny, i cili pretendonte për shkelje nga ana e zëvendëskryeministrit rus Sergei Prikhodko. Në një video në YouTube. që është parë nga rreth gjashtë milionë njerëz (dhe që është ende e disponueshme), Navalny tregon Prikhodkon që shoqërohet me oligarkun Oleg Deripaska në një jaht në Norvegji, ku ai pretendon se ndodhi korruptimi.

Pasi u shfaq postimi, Deripaska shkoi te enti rregullator i komunikimit rus, Roskomnadzor, për t’i kërkuar Facebookut të hiqte përmbajtjen, gjë që ai e bëri direkt. Ky episod ka tërhequr tashmë shumë vëmendje, si dhe kritika ndaj Facebookut. Dhe ka pasur megjithatë mijëra shembuj të tillë.

Në një kohë kur shumica e njerëzve i marrin lajmet nga media sociale, shtetet mafioze nuk e kanë pasur problem të censurojnë përmbajtjen në median sociale që liderët e kanë parë si të dëmshme në interesin e tyre. Por, për demokracitë liberale, rregullimi i medias sociale nuk është aq i thjeshtë, sepse kërkon që qeveritë të gjejnë një balancë mes parimeve të konkurrencës. Në fund të fundit, platformat e medias sociale nuk luajnë vetëm një rol kyç si mjete të rrjedhës së lirë të informacionit; ato janë përballur gjithashtu me kritika të forta që kanë dështuar të rregullojnë postime abuzive dhe të paligjshme, veçanërisht për gjuhën e urrejtjes dhe propagandën ekstremiste.

Këto dështime kanë nxitur veprime nga shumë qeveri evropiane dhe Bashkimi Evropian vet. BE-ja ka lëshuar tashmë rregulla për kompanitë e internetit dhe ka kërcënuar të ndjekë legjislacionin formal nëse kompanitë nuk binden. Siç vëzhgoi së fundmi ish-drejtori i agjencisë britanike të inteligjencës, Robert Hannigan, hapësira që kompanitë e teknologjisë të reformohen vetë po mbyllet shpejt. Në fakt, Gjermania ka miratuar tashmë një ligj që do të gjobisë rëndë platformat nëse nuk i heqin postimet e paligjshme të përdoruesve në kohë të shkurtër.

Këto masa që po vazhdojnë janë një përgjigje ndaj armatimit të platformave të mediave sociale nga agjencitë e inteligjencës së shteteve joliberale dhe grupeve ekstremiste që kërkojnë të përçajnë shoqëritë perëndimore me gjuhë urrejtje dhe disinformim.

Veçanërisht ne e dimë tashmë se “Agjencia për Kërkim në Internet” e lidhur me Kremlinin kreu një fushatë të gjerë në Facebook dhe Twitter për të rritur shanset e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale 2016. Sipas padisë së fundit të Prokurorit Special Amerikan Robert Mueller, për 13 individë rusë dhe tri organizata, një ushtri përdoruesish interneti rusë kaluan muajt para zgjedhjeve 2016 duke nxitur tensione raciste mes amerikanëve dhe duke dekurajuar votuesit minoritarë për shembull, që të mos votonin për kundërshtaren e Trumpit, Hillary Clinton.

Zbulimet e Muellerit qartazi ngrenë pyetje të rëndësishme rreth transparencës dhe mbrojtjes së institucioneve demokratike në epokën digjitale. Pavarësisht se e kanë lejuar veten të bëhen mjete për operacione speciale të Kremlinit, platformat kryesore të medias sociale kanë hezituar të ofrojnë informacion te qeveritë demokratike dhe publiku.

Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, deputeti Damian Collins ka lansuar një investigim për ndërhyrje ruse në referendumin Brexit të vitit 2016, por zor se ka marrë shumë bashkëpunim nga Facebooku dhe Twitteri. Në dhjetor ai e përshkroi përgjigjen e Twitterit ndaj pyetjeve të tij si “plotësisht të papërshtatshme”. Kjo është për të ardhur keq. Kur demokracia është në rrezik, platformat e mediave sociale kanë detyrë të jenë transparente.

Për më tepër, nëse Rusia mund të ndërhyjë kaq shumë në procesin demokratik amerikan, imagjinoni se çfarë ka bërë në Evropë, ku nuk e dimë ende kush i financon fushatat e reklamimit online në zgjedhjet e fundit kombëtare dhe referendume. Dyshoj se jemi në sipërfaqe të problemit për të zbuluar ndërhyrjen e huaj në institucionet dhe proceset tona demokratike. Me zgjedhjet parlamentare evropiane në maj 2019, duhet të përgatitemi më mirë.

Gjigantët e teknologjisë nga ana e tyre do të vazhdojnë të pretendojnë se thjesht po shpërndajnë informacion. Në fakt, ata po veprojnë si publikues dhe duhet të rregullohen siç duhet – jo vetëm si publikues, por edhe si shpërndarës thuajse monopol.

Sigurisht, censura dhe manipulimi i informacionit janë po aq të vjetra sa vetë lajmi. Por, lloji i betejës hibride të sponsorizuar nga shteti që po shfaqet sot është diçka e re. Fuqitë armiqësore e kanë kthyer internetin tonë të hapur në një fushë shahu disinformimi, shumica e të cilës shpërndahet nga programe automatike që platformat e mëdha mund t’i pastrojnë pa hapur shumë debat – kjo nëse do të donin ta bënin këtë.

Kompanitë e mediave sociale kanë pushtetin të ushtrojnë ndikim të madh në shoqëritë tona, por ato nuk kanë të drejtën të vendosin rregullat. Ky autoritet i përket institucioneve tona demokratike, që kanë për detyrë të sigurojnë që kompanitë e mediave sociale të sillen me më shumë përgjegjshmëri se tani. /Project Syndicate/reporter.al/

Exit mobile version