Telegrafi

Teknologjia e re nga Ford, evitimi i gropave rrugore (Video)

Kompania amerikane Ford sjell teknologjinë më të fundit për vetura, një teknologji që eviton gropat e rrugëve.

Një teknologji që do të ishte shumë e nevojshme në rrugët shqiptare, por që fillimisht është vendosur në veturat Fusion Sport, të prodhuara për tregun amerikan.

Ford Fusion është vetura e tretë më e preferuar në ShBA, dhe në modelet e reja të 2017-s, që do të dalin në treg këtë verë, do të jenë të parat që do të mbartin këtë teknologji, raporton TechSot.Al

Ja si funksionon teknologjia e re:

E gjitha ka të bëjë me 12 sensorat e rezolucionit të lartë, që ‘ndjejnë’ gropat 2 sekonda para se rrota e makinës të bjerë në kontakt me to.

Sensorët dërgojnë informacionin tek kompjuteri kryesor i makinës, i cili në mili-sekonda bën gati amortizatorët për impaktin. Kjo lejon rrotën që të mblidhet, dhe të kalojë mbi gropë, pa e goditur atë, ose të ketë sa më pak impakt.

Ford ka krijuar një video për të demonstruar teknologjinë e re, duke vendosur në gropë disa topa ping pongu, të cilat nuk preket fare falë teknologjisë së re.

Sipas Jason Michener, inxhinierit që mori pjesë në zhvillimin e kësaj teknologjie, “kjo teknologji ulë ndjeshëm impaktin e rrotës me gropën. Por ka dhe nga ato gropat, nga të cilat asnjë teknologji nuk mund të na ruante”.

Ford është duke avancuar në këtë kategori, duke lënë pas rivalët kryesorë të Ford Fusion si Honda Accord dhe Toyota Camry.

TechSot.Al raporton se kjo teknologji nuk është edhe aq e re në treg, pasi marka Lincoln, e zotëruar nga Ford, e ka tashmë një teknologji të tillë në veturat MKS dhe MKZ.

Ford shpreson që teknologjia të jetë së shpejti e disponueshme në të gjitha tregjet globale.