Nën një rrugë në perëndim të qendrës së Detroit, SHBA, është instaluar një teknologji për karikimin pa tela të automjeteve elektrike.
Siç bëhet e ditur nga mediat, automjetet elektrike mund të ngarkojnë bateritë e tyre gjatë vozitjes.
Sipas Departamentit të Transportit të Michigan-it, ai segment i rrugës, do të përdoret për të testuar dhe përsosur teknologjinë përpara se ta bëjë atë të disponueshme për publikun brenda pak vitesh.
Raportohet se teknologjia i përket Electreon, një zhvillues me bazë në Izrael. Kompania ka kontrata për rrugë të ngjashme në Izrael, Suedi, Itali dhe Gjermani.
Kur një automjet elektrik i afrohet segmenteve të karikimit, bobinat në rrugë transferojnë energjinë elektrike përmes një fushe magnetike, duke ngarkuar baterinë e automjetit. Bobinat aktivizohen vetëm kur një automjet elektrik kalon mbi to.
Stefan Tongur, nënkryetar i Electreon, u tha gazetarëve se rruga është e sigurt për këmbësorët, shoferët dhe kafshët.
Ndryshe, Electreon mori një angazhim pesë vjeçar për të zhvilluar sistemin elektrik rrugor, raporton ap.
Ndërsa automjetet elektrike popullarizohen në SHBA, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden si pjesë të rëndësishme të synimeve të saj të infrastrukturës, i ka edhe stacionet e karikimit për automjetet elektrike.
Rruga e karikimit me valë ndihmon që Michigan dhe Detroiit të jenë në krye të teknologjisë së automjeteve elektrike. /Telegrafi/