Pandemia coronavirus ka shkaktuar frikë të madhe edhe te figurat publike të cilët tashmë gjenden prapa grilave. Njëri prej tyre është reperi Daniel Hernandes, i njohur si Tekashi 6ix9ine, i cili tashmë është liruar me kusht, shkruan BBC.
Kjo ka ndodhur si përpjekje mbarëkombëtare në Amerikë për të frenuar shpërthimin e virusit vdekjeprurës në burgjet e Shteteve të Bashkuara.
Një gjykatës ka konfirmuar se reperi nuk ka virus, por konsiderohet me rrezik të lartë për shkak të astmës së tij dhe trajtimit të mëparshëm spitalor që kishte për bronkitin.
Sipas ekipit juridik të 6ix9ine, ai do të përfundojë katër muajt e mbetur të dënimit të tij dyvjeçar nën arrest shtëpiak, duke ngjitur kështu edhe një monitor GPS në kyçin e këmbës.
Gjykatësi Paul Engelmayer, i cili fillimisht e dënoi atë, sugjeroi që pandemia aktuale është paraqitur si “arsye e jashtëzakonshme dhe bindëse” për lirim. Ai gjithashtu tha se Daniel Hernandez “nuk do të paraqesë ndonjë rrezik domethënës për komunitetin”.
Tekashi 6ix9ine akuzohej për një numër të konsiderueshëm të veprave penale si mbajtje e armëve te zjarrit, akuza për komplot dhe një seri grabitjesh së bashku me bandën e tij. /Telegrafi/