Site icon Telegrafi

Tedi Papavrami: Krijimtaria e lartë, fryt i vuajtjes njerëzore

Tri sonatat e Beethovenit rikthejnë sot Tedi Papavramin në Tiranë. Gjeniu shqiptar i violinës rrëfen kujtimet në lice, për takimin me diktatorin, të atin Robert Papavramin, “sekretet” e suksesit dhe ringritjen e tij pas shembjes së dy “shtëpive”

Anila Dedaj

Tedi, gjendemi në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku edhe ke marrë bazat e para. Në këto ambiente nga ish-liceist, vjen sot si një virtuoz i violinës, po edhe përkthyes i kolosit të letërsisë shqiptare, autor e me disa eksperienca interesante në film. Si ndihesh?

Liceu Artistik është vendi ku dikur studioja, punoja e madje bëja edhe “hile” për të mos punuar. Ishte një vend ku unë vija me kënaqësi çdo mëngjes, sepse e dija se aty do gjeja shokët. E di se ka qenë një moment studimi, rreptësie, por për mua çdo ditë ishte si aventurë. Pyesja veten: “Çfarë do më tregojnë? Çfarë do të ndodhë e re? Çfarë do të mësoj?” Kujtimet që gjej në këtë vend janë nga më të bukurat e jetës sime. E di që kjo mund të duket paradoksale, sepse nuk mund të thuash se kushtet ishin shumë të mira. Më kujtohen korridoret ku nuk kishte llamba. Ishte gati gjithmonë errësirë. Kishte një zhurmë e kakofoni që ndihej gjithandej, ndërsa liceistët përpiqeshin të studionin nëpër korridore. Këto janë të gjitha mbresa, mbresa të bukura që i ruaj në mendjen time. Sigurisht që jeta i ka larguar disi, por magjia e fëmijërisë me të cilën lidhet, mbetet gjithmonë…

Dy muaj më parë, në inaugurimin e sallës “Tonin Harapi” u përmend se “dikur ishte Tedi Papavrami që e hapte liceun”. Janë të shumtë liceistët, apo të tjerë të rinj që pyesin veten “nëse talenti është, çfarë duhet për të prekur sadopak nga suksesi i Tedi Papavramit”?

Punë, shumë punë! Duhet gjithashtu zgjuarsi edhe fat, pasi mund të bëhen gabime, mund të marrësh ndonjë rrugë të keqe që nuk të çon aty ku duhet, edhe pavarësisht se mund ta kesh talentin e kapacitetin, kjo nuk do të ishte e mjaftueshme. Lipset dashuri për muzikën, për artin, por puna e vazhdueshme është kryesorja. Siç e ceka, ka rolin e vet edhe fati, pasi është vështirë që njeriu ta ketë këtë vullnet në moshë të vogël. E violina në fakt mësohet nga mosha pesë deri në moshën 14-15 vjeç. Këto vite janë tepër të rëndësishme për t’u bërë violinist. Gjatë kësaj periudhe duhet një institucion i përshtatshëm, profesorë të mirë, edhe shumë vullnet. Nuk duhet të mungojë as nxitja nga familja dhe profesorët. Këta të fundit duhet të shtyjnë që të punosh, ta mësosh violinën e të ushtrohesh minimalisht katër apo pesë orë në ditë. Diçka e tillë duhet të fillojë që në moshë të vogël, sikundër mësohet matematika e lëndët e tjera. Nuk duhet të mungojë inteligjenca, pasioni, sepse pa pasionin “vyshkesh”. Jo më kot në vendet aziatike këtë punë e bëjnë shumë mirë në fëmijëri. Mandej ndodh që në moshën 20-vjeçare, ka instrumentistë për shembull koreanë që edhe pse mund të jenë të formuar shumë mirë, nëse nuk e kanë më kuriozitetin apo pasionin e thellë për Beethovenin apo Bachun, nuk përcjellin magjinë. Ajo që e ripërtërinë talentin është gjithmonë pasioni për artin!

Talenti duket se në njëfarë mënyre i ka lehtësuar rrugët, edhe pse gjërat nuk kanë qenë të thjeshta. Keni qenë një familje antikomuniste dhe kjo ka pasur pasojat e veta në atë periudhë. Në moshë të hershme, pasi kishit fituar bursën për në Francë, ju interpretuat para diktatorit. Çfarë kujtoni nga ai moment, nga ajo figurë?

Isha vetëm 11 vjeç asokohe. Nga ai moment kujtoj veçanërisht faktin se isha i ndërgjegjshëm për atë që ndodhte në Shqipëri, kjo pasi babai më në fund më kishte shpjeguar situatën. Kishte ndodhur pak muaj më parë, pasi më herët ne nuk bënim biseda antikomuniste. Ekzistonte frika se, prej moshës, mund t’i tregoja dikujt, dhe diçka e keqe mund t’i ndodhte familjes. Kujtoj se nga njëra anë isha i impresionuar, sepse në fund të fundit kisha para një figurë të cilën e kisha parë si një idhull, si një perëndi gjatë gjithë fëmijërisë sime. E nga ana tjetër, isha ndërgjegjësuar për atë që diktatura ishte, edhe për faktin se ky njeri jo vetëm frikësonte, por edhe mbante në duar miliona njerëz, një vend të tërë. Ekzistonte edhe mirënjohja, për faktin se më kishte lejuar të shkoja në Francë, në një kohë kur të tjerët, pjesë e regjimit nuk donin. Ishte një përzierje ndjesish kontradiktore. Ndodh gjithmonë kështu, mendimet e rrethanat janë gjithmonë kontradiktore, në momentet kur liria mungon.

Në Francë shkuat fillimisht vetëm, mandej një premtim ju bëri të shpresonit për bashkimin me prindërit. Çfarë ndodhi më tej?

Kur e takova Enver Hoxhën, më premtoi bashkimin me nënën time. Fjala e tij më mbushi me shpresë, sepse mendova: Derisa ai po e thotë fjalën, është “e vdekur”. Do të vijë! Dhe, në fakt ardhja e nënës sime u bë relativisht shpejt. Erdhi vetëm disa muaj më vonë, edhe pse mua mu duk një periudhë e gjatë. Pjesa e dhimbshme dhe e vështirë e historisë do të ndodhte më vonë. Kur pas vdekjes së Enver Hoxhës do të na bashkohej edhe babai. Edhe pse ai erdhi falë një leje speciale, ne do të qëndronim përgjithnjë. Për këtë, u bëmë armiq të popullit. Gjatë kësaj kohe, na shembën shtëpinë… Tezet, dajat e gjyshërit i internuan. Po bëhej një presion shumë i madh, e neve na u deshtë prisnim shumë vite që të ktheheshim.

Shembja e shtëpisë, “hakmarrja” mbi të afërmit… Si i përjetuat të gjitha këto ndodhi, duke qenë larg?

Shembja e shtëpisë, duke pasur parasysh atë që ndodhi me të afërmit tanë, mbetej një detaj. Na dhembte internimi i familjarëve tanë, nga të cilët nuk kishim asnjë lajm. Nuk dinim asgjë! Im atë po e përjetonte vërtet keq, ishte bërë thuajse depresiv, ndërsa ime më mundohej ta mbante veten duke u kapur pas gjërave të përditshme, praktike. Nga ana tjetër, unë këto ngjarje i përjetoja si një peshë të rëndë, pasi mendoja se e gjithë kjo bëhej për mua. Kështu duhej që këtë fatkeqësi kaq të madhe, që prekte kaq shumë njerëz, ta justifikoja në violinë. Këto janë gjëra vërtetë të dhimbshme, që kur je adoleshent sigurisht që të mbeten, si trauma që të shoqërojnë për gjithë jetën. E nga të cilat unë mundohem të shkëputem.

Janë trauma të shkaktuara nga sistemi, apo shoqëria… Trauma të cilat ju në njëfarë mënyre i ktheni në frute pozitive përmes artit, ashtu siç edhe Beethoven me kompozimin. Së bashku me François-Frédéric Guy, sillni në “Different trains” tri sonatat e tij, të 2-tën, të 7-tën dhe të 10-tën…

Në fakt, është e vërtetë se krijimtaria e lartë, e madhe është gjithmonë fryt i dhimbjes, i vuajtjes njerëzore. Vuajtje të cilat disa gjeni, jo të gjithë fatkeqësisht, arrijnë që t’i transformojnë edhe t’i kthejnë në bukuri. Ashtu siç ka bërë Kadare, apo Beethoven me veprën e tij. Madje, mund të them se Beethoven ka qenë tepër koshient për një fakt të tillë, pasi ai e thoshte shumë qartë se: “Ai që do ta njohë veprën time, do të ndiejë, se është një ngushëllim për dhimbjet e tij personale”. Nëse nuk e njeh vet këtë vuajtje, atëherë nuk ke se çfarë të shprehësh. Ndoshta mund të duket sikur po bëj apologjinë e vuajtjes, por muzika që ne interpretojmë është e tillë. Ndryshe nuk ka art. Nuk mund të krijosh art të madh, duke qenë vetëm në mirëqenie. Nuk është e mundur diçka e tillë!

Më sipër përmendët Kadarenë. Emri juaj është i lidhur ngushtë edhe për përkthimin e veprave të letrarit. Aktualisht jeni duke përfunduar përkthimin e librit të tij më të fundit, që ka në fokus raportin e shkrimtarit me diktaturën. Një raport, siç edhe e përmendëm, jo i panjohur për ju si artist…

Është e vërtet, ky raport edhe për artistët, ashtu si edhe për shkrimtarët ka qenë shumë delikat. Ndoshta më shumë ka prekur shkrimtarët, edhe pse ka pasur kompozitorë, që në shumë raste kanë qenë në një pozitë të ngjashme me atë të Kadaresë, si Shostakovich në Rusi. Mirëpo, padyshim se “Kur sunduesit grinden” mua më prek në mënyrë të veçantë, pasi kam në kokë imazhe shumë të qarta që lidhen me të. Këto ma bëjnë mua punën më të thjeshtë, sesa ç’do të ishte për një përkthyes francez, i cili sigurisht që edhe pse mund t’i njihte nga ana historike fakte të tilla, nuk do t’i kishte përjetuar në fëmijërinë e tij. Më intrigon shumë si libër, edhe pse shënjon një fazë të lartë maturiteti tek Kadareja. Ku ai rimerr fakte, i ndryshon, u rikthehet përsëri. Është diçka kaq e veçantë! Unë e konsideroj fat, që kam mundësinë ta përkthej, e të jem në kontakt kaq të thellë me veprën e Kadaresë përmes frëngjishtes. Ka qenë me të vërtetë një aventurë e bukur, që lindi papritur para 20 vitesh, me Ismailin, letërsinë dhe veprën e tij. Ndaj, jam mirënjohës për këtë.

Tedi, ju jepni gjithashtu mësim. Në këtë aspekt çfarë keni marrë nga babai juaj, violinisti Robert Papavrami, njëherazi edhe mësuesi juaj i parë, dhe ku ndryshon raporti që ju krijoni me studentët tuaj?

Jemi shumë të ndryshëm, por ajo që kam marrë prej tij është në radhë të parë këshillimi për repertorin. Babai është specialist i madh i fillimeve në violinë, dhe kjo është diçka shumë specifike. Kuadri i organizimit të punës, ushtrimet, mënyrat e avancimit janë të përbashkëta, pasi edhe im atë u është referuar librave, letërsisë pedagogjike e njëherazi pedagogëve më të mëdhenj të violinës, edhe pse ka futur padyshim elementë personalë në mësimdhënie. Mirëpo ndryshojmë, sepse babai është mjaft teatral, si personazh në mësimdhënien e tij, me gëzime e zemërime shumë të mëdha. Ndërsa unë jam shumë neutral, edhe mbaj një distancë më të madhe. Sigurisht jap mësim për nxënës që kanë një moshë më të madhe. Mandej nuk jam në Shqipërinë e viteve 1970-’80, kështu që nuk do të shkoj e t’u gjuaj nxënësve që nuk kanë punuar. Mundohem që të detajoj elementë teknikë, të cilat i kam fituar nga përvoja ime si solistë, edhe t’ua shpjegoj, por sigurisht kjo është një përzierje e shumë influencave.

Para koncertit të fundit që mbajtët në Shqipëri (3 nëntor 2018) ju rrëfyet se problemet që patët në dorë po i kapërcenit edhe falë mbështetjes së bashkëshortes suaj të re, artistes Maki Okada. Aktualisht si ndiheni?

Tani ndihem më mirë, sepse problemet në dorë po stabilizohen. Qe një periudhë, ku m’u desh të rindërtoja në një farë mënyre teknikën time, të dorës së majtë prej shqetësimit që pata. Tani, puna e madhe që kam bërë gjatë tre viteve të fundit po jep frytet e saj. Për mua ishte gati e pabesueshme, se do të më duhej të bëja një punë të tillë. Por m’u desh ta bëja për të racionalizuar edhe rikonstruktuar “shtëpinë time” edhe njëherë. Jo nga zero, por nganjëherë është edhe më e vështirë kur të duhet të riparosh diçka, sesa e kur e nis nga e para. Ishte një punë që kërkonte shumë mund… Është e çuditshme në fakt, por mendoja se si nga një anë m’u prish “shtëpia”, familja me ish-bashkëshorten time, e në të njëjtën kohë u shpërbë dhe diçka në violinë, që më destabilizoi në mënyrë shumë të thellë… Tani janë të dyja në vijë dhe jam shumë i lumtur me bashkëshorten time të re japoneze, Makin. Ndonjëherë ndalem e shikoj se vitet kanë kaluar, se po jetoj një etapë ndryshe. Njerëzit përreth po ashtu ndryshojnë, janë më të moshuar. Po e gjitha, është një eksperiencë e re!

Projektet tuaja të ardhshme artistike, cilat janë?

Nuk është hera e parë, por është një moment mrekullie për mua fakti se do të interpretoj përsëri me pianisten argjentinase Marta Argerich, e cila edhe pse 77 vjeç, është në një formë të pabesueshme. Kam dëshirë që një ditë ta sjell në Shqipëri, pasi është një legjendë. Të bën të shtangësh sa herë e dëgjon dhe kjo është realisht entuziazmuese. Po ashtu kam disa projekte me pianistin Fransua Federic Gay. Pra me pak fjalë, po rinis jetën e koncerteve, që për disa kohë m’u desh ta pezulloj, për shkak të problemeve të dorës. Çdo gjë po rimerr gradualisht ritmin e saj… /Shekulli/

 

 

 

 

 

Exit mobile version