Mes projekteve tjera shqiptare në Maqedoni, me rishikimin e buxhetit për vitin 2016 nga ana e Qeverisë OBRM-PDUK dhe BDI, ka pësuar edhe objekti i Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë.
Nga 180 milionë denarë, tashmë këtij projekti i mbeten 120 milionë denarë. Bëhet fjalë për një dallim prej 60 milionë denarësh ose afër 1 milion euro.
Sekretari shtetëror në ministrinë e kulturës, Behixhudin Shehapi i Bashkimit Demokratik për Integrim, ishte i pakapshëm për të sqaruar për Alsat-M për shkurtimin e mjeteve. Në vendin ku zhvillohen ndërtimet, tashmë disa muaj, nuk shihet asnjë progres.
Gjatë vënies së gur-themelit në nëntor të vitit 2014, u tha se investimi do të kapë shumën prej 13 milion eurosh dhe ndërtimet do të përfundojnë në vitin 2017.
Për dallim nga projekti fillestar, vitin e kaluar u vendos që objekti të ketë dy kate më pak nga ç’ishte planifikuar por autoritetet e quajtën atë “një korrigjim” dhe në vazhdimësi mohuan që kjo të jetë pasojë e shkurtimit të mjeteve të buxhetit.
Aktivitetet kulturore dhe artistike në Tetovë zhvillohen në ambiente provizore dhe në kushte jashtë standardeve, kurse biblioteka “Koço Racin” mbetet e mbingarkuar./Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=mvGjYcUEB2k