Site icon Telegrafi

Teatri si autopsia e një krimi perfekt

Krimi i ndodhur në ditën e fundit të gjendjes së jashtëzakonshme, ka vetëm një autor, atë që si personazhet e romaneve më të çmendura të këtij zhanri e planifikoi krimin e tij prej 22 vjetësh.

Pavarësisht se në këtë histori kanë hyrë dhe kanë dalë shumë figura të njohura, nga Violeta Manushi tek Pandi Majko, nga Robert Ndrenika te Maks Velo, nga Aurel Plasari tek shërbyes të pështirë si Agron Hysenlliu e Erion Veliaj, autori dhe projektuesi i masakrës mbetet vetëm një.

Por, sado perfid, i sofisttikuar dhe gjatë gjithë dy dekadave i veshur me mbrojtjen e pushtetit, Edi Rama ka lënë gjurmë në krimin e tij. Sot mjafton një enumeracion i tyre për të kuptuar se ai është i pandehuri ekselent që nuk mund t’i shpëtojë dot prangave.

Historia fillon në vitin 1998 kur ai u bë ministër kulture. Ndërkohë që në publik mbante aureolën e revolucionarit që shtirej sikur tallej me aktorët e socrealizmit, ai nuk qe veçse zyrtari banal që firmoste kontrata të paligjshme.

Mes shumë e shumë mëkateve që do të zbardheshin më pas, çdo prokuror i pavarur, që do të bëjë drejtësi, mund të hapë sot kontratën e ministrit me çorape të kuqe dhe çitjane me pronarët e Bingo Ylli.

Skandaloze.

Ndërsa ministrit të Kulturës ligji i lejonte të vendoste firmën vetëm për sipërfaqe që nuk i kalonin 500 metrat, ai i dha bingos plot 570 metra të Teatrit Kombëtar.

Si e bëri këtë?

Duke falsifikuar letrat dhe duke zvogëluar hapësirën.

Cili është dëmi?

Nga 74 milionë lekë në vit që duhet të përfitonte teatri, kontrata e re i dha vetëm katër milionë. Të tjerat shkuan në xhepat e përfituesve.

Nuk dihet nëse ky krim fillestar ka determinuar të gjithë të tjerat. Nuk dihet as nëse fshehja e tij ka përcaktuar më pas “betejën estetike” për godinën që deri sot Europa Nostra e konsideronte si një ndër shtatë perlat më të rrezikuara të kontinentit.

Është vështirë të thuhet nëse ankthit të grabitësit vitet i shtuan edhe patologjinë e pa kuruar ndaj të gjithë atyre që për arsye krejt të ndryshme donin ta mbanin në këmbë këtë monument kulture.

Ndoshta të gjithë faktorët u bënë bashkë dhe sapo pati mundësinë kur u rikthye në pushtet, Edi Rama e vuri në agjjendën e tij shembjen e Teatrit.

Sipas dëshmisë që ka dhënë vetë arkitektti danez Bjarke Ingels, Rama e ka thirrur atë diku nga mesi i vitit 2016 për t’i kërkuar një projekt për teatrin e ri. Natyrisht, për të arritur këtu, ai duhet të kryente më parë një veprim tinëzar, nxjerrjen nga harta e zonës së mbrojtur të kësaj godine.

Por, manipulimet nuk mbarojnë këtu.

Publikut iu shit, madje kështu është e shkruar edhe në dokumentet zyrtare, sikur ideja e shembjes dhe ngritjes së godinës së re ishte një ofertë e pakërkuar e kompanisë “Fusha”. Pra, mashtrimi tjetër me ligjin: “Fusha” që e ka dorëzuar kërkesën e tij në shkurt 2018 po përdorej vetëm si koperturë për të gënjyer Këshillin Bashkiak dhe parlamentin, pasi Rama i kishte nisur tratativat që Më 2016.

Rastet ku çdo prokuror mund të hetojë vazhdojnë.

Meqenëse “Fusha” duhet të ndërtonte dhe kulla në një tokë shtetërore, projekti ngecte. Për “dhurimin” e atij trualli duhet të votonte me dy të tretat Këshilli Bashkiak. Rilindja nuk e arrinte dot këtë numër votuesish, prandaj u përdhos kushtetuta, iu rrëmbyen kompetencat pushtetit lokal dhe u vendos që rrëmbimi të bëhej me ligj special nga kuvendi (I njëjti ligj që u votua nga socialistët dhe që Meta e çoi në Kushtetuesen e pa ngritur ende).

Edhe ligji vetë, megjithëse sot i pavlerë, pati shkelje të mëdha për dhënien e një prone shtetërore pa garë, e cila u fshikullua edhe nga Komisioni Evropian.

Nëse një prokuror do të hetojë atij nuk ka si mos i bëjë përshtypje se në krim u përfshinë menjëherë gjithë strukturat shtetërore. Sapo “Fusha” dorëzoi propozimin, ministria e Kulturës e shpalli atë të përkryer. Në të njëjtën kohë, brenda dy javëve, instituti sharlatan i ndërtimit prodhoi raportin se ndërtesa mund të shembej me tërmetin më të parë (ranë dy të fortë që atëherë).

Po të shikohet kontrata e “Fushës” me shtetin, ajo përbën një subjekt më vete për burg. Leja për kulla që iu dha atij parashikonte një koeficient shfrytëzimi të jashtëligjshëm për Tiranën, dhe një intensitet ndërtimi përtej atij që lejon plani rregullues i miratuar nga vetë Veliaj.

Këtij projekti i doli boja aq keq, sa edhe ata që e gatuan në kulisa u detyruan të tërhiqen, por duke këmbëngulur sërish tek qëllimi final.

U gjet sebepi sikur “Fusha” nuk kishte para për kërkesat që pretendonin artistët dhe u vendos që teatrin ta shembte – ndërtonte vetë bashkia. Megjithëse mashtrimet se shtetit i mungonin fondet, u rrëzuan, megjithëse kjo nuk e bënte më të detyrueshme ngritjen e godinë së re në tokën e të vjetrës, qëllimi nuk ndryshoi.

Por, pavarësisht formës, sërish u zgjodh një rrugë kriminale.

Veliaj, i tredhur nga Rama, organizoi një votim klandestin në këshillin bashkiak, pa respektuar afatin pesëditor, duke shmangur diskutimet dhe duke falsifikuar dokumentet. Si një lake i bindur, ai vendosi t’i çojë ruspat teatrit.

Natyrisht, këto janë aspektet më ulëritëse të këtij krimi që ngërthen brenda vetes edhe dhjetëra të tjerë më të vegjël. Por, mjafton situata kur ai u krye, në një natë të shtune, nën gjendje të jashtëzakonshme me një dhunë të paparë policore, pa pyetur për dy çështje të depozituara në gjykatën e pa ngritur kushtetuese për ta bërë atë një krim të zi, perfekt.

Si i tillë, ai është shumë më tepër se shembja e një godine historike për qëllime korruptive. Ai përbën autopsinë e një demokracie të vdekur në çdo qelizë të saj. Ai simbolizon njëkohësisht edhe pushtetin diktatorial të njëshit, edhe servilizmin e pështirë të lolove të oborrit (aktorë, inxhinierë, gazetarë), edhe shtetin pa gjykata, edhe policinë e dhunshme dhe brutale, edhe sistemin e lidhjes së shkurtër të autokratit me oligarkët, edhe rënien e çdo institucioni demokratik që nga Parlamenti deri tek Këshilli bashkiak. Pra, kjo histori është simboli më i mirë shtetit monist nën të cilin po vuajmë.

Në këtë kuptim, ndëshkimi i këtij krimi me shumë gjurmë është një domosdoshmëri. Opozita që ka dalë sot në rrugë dhe që bën thirrje në rrënojat e teatrit për mosbindje civile, duhet të betohet aty jo për largimin e Edi Ramës, por për ndëshkimin e tij. Sepse, çdo ndryshim politik i pa shoqëruar pa dënimin e autorëve të kësaj masakre do të ishte një farsë.

Ne kurrë nuk do të bindemi se ka ndryshuar diçka, nëse ky krim harrohet.

Kjo duhet bërë me çdo çmim, qoftë dhe duke shkelur mbi SPAK-un gjoja amerikan, qoftë edhe me koston se bashkë më të akuzuarin kryesor mund të digjen si dëme kolaterale, plot oborrtarë që i shkuan nga pas si lolo.

Kjo duhet bërë sepse ky është krimi par exellence i cili na jep mundësinë që duke ndëshkuar personin, të mbyllim hesapet edhe me sistemin 20-vjeçar që ai ngriti.

Se paku Edi Rama, me shembjen e teatrit, na e bëri këtë dhuratë që me një proces të vetëm të dënojmë së bashku me atë dhe gjithçka ai përfaqësoi. Tjetra është në dorën tonë.

Exit mobile version