Telegrafi

Teatri në Tiranë feston 65 vjetorin

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, pas vlerësimit të të gjithë aktorëve, pjesëtarë ndër vite të këtij institucioni, kujtoi emrat e artistëve, që ndonëse nuk jetojnë më, kanë lënë gjurmë në historikun e teatrit shqiptar.

“Përulemi sot me nderim të thellë përpara emrave të mëdhenj që kanë lënë pas një vepër të madhe”, është shprehur Kristaq Skrami, drejtor i TK.

Ministri Xhaferaj përcolli fjalën e kryeministrit Berisha për rastin.

“Teatri kombëtar ka qenë një zë i fuqishëm dhe i spikatur i krenarisë së artit shqiptar. Me ju Shqipëria është bërë më e bukur dhe më fisnike”, deklaroi Xhaferri.

Përpos diskutimeve mbi mbarëvajtjen e teatrit dhe figurave të tij, u interpretua shfaqja e parë që u vu në skenë, në maj të 1945-ës “Topazi”. Më pas u transmetua një dokumentar mbi historikun e TK. Artistët shprehen opinionet e tyre mbi gjendjen e teatrit.

“Ky segment i artit duket se ka krijuar një fytyrë të tijën kombëtare dhe një cilësi që renditet me institucionet analoge që kemi në këtë krahë dhe ndoshta më gjerë”, është shprehur aktori Mirush Kabashi.

“Historinë e artit e bëjnë artistët e tyre. Dhe një zë i fuqishëm ka qenë ai femërore me personazhe të spikatura në shumë role”, theksoi aktorja Margarita Xhepa, “Artiste e popullit”.

Nga vitet 45-56 teatri, nën ndikimin e politikës, vuri në skenë drama të realizmit socialist kryesisht me autorë lindorë. Me pas u hap edhe në drejtime të tjera, si teatri klasik, por edhe pjesë shqiptare.

Nga viti 1956 deri ne 1965-ën teatri mori karakter profesional të lartë, për sa u perket aktorëve, regjisorëve dhe skenografëve.

Deri në ’72-shin vend parësor zuri dramaturgjia shqiptare, për të vazhduar më pas, deri në rënien e sistemit komunist me pjesë pothuajse tërësisht të politizuara. Pas viteve ’90 teatri iu hap metodologjive bashkëkohore ndërkombëtare. /TCH/