Teatri Migjeni ka njoftuar shfaqjen e re komike “Krimi është i imi”, e cila premton të sjellë një natë të mbushur me humor dhe energji për të gjithë artdashësit.
Kjo komedi, nën regjinë e Driada Dervishit, do të paraqesë një përmbajtje intriguese dhe plot të qeshura, që do ta bëjë të paharrueshme për publikun e Shkodrës dhe më gjerë.
Shfaqja sjell në skenë disa nga emrat më të njohur dhe të dashur të teatrit shqiptar, duke përfshirë Besnik Çinari, Olta Daku, Neritan Liçaj dhe Rudina Dembacaj, të cilët janë bashkuar trupës së Teatrit Migjeni për këtë prodhim special.
Përveç tyre, në këtë komedi do të marrin pjesë edhe aktorët Linda Jarani, Jozef Shiroka, Pjerin Vlashi, Nikolin Ferketa, Romir Zalla, Merita Smaja dhe Fritz Selmani.
Në një postim në rrjetet sociale, Teatri Migjeni ndau detaje rreth pjesëtarëve të përfshirë në këtë projekt. Komedia është shkruar nga autorët George Berr dhe Louis Verneil, me përkthimin e Odeta Hoxhës.
Astrit Fani shërben si asistent-regjisori, ndërsa skenografinë e ka realizuar Divni Gushta dhe kostumografinë Desantila Lika. Muzika është kompozuar nga Zef Çoba, ndërsa fotografitë janë realizuar nga Iden Temali dhe videot nga Drabe J. Amiri.
Një nga pikat kulminante të kësaj shfaqjeje është pyetja intriguese: “A na duhet një vrasje për t’u bërë të famshëm”? Kjo premisë e veçantë do të udhëheqë publikun përmes një udhëtimi komik dhe të mbushur me tension, duke eksploruar absurditetet dhe qesharakët e kësaj teme.
Përgatitja për shfaqjen është bërë me kujdes dhe përkushtim. Aktorët dhe ekipet e grimit dhe flokëve kanë punuar pa pushim për të sjellë në jetë karakteret dhe pamjet e tyre unike. Olta Daku dhe Linda Jarani kanë bashkëpunuar me profesionistët e grimit Ornela Kaçi dhe Xheni Bandula, ndërsa Rudina Dembacaj është ndihmuar nga Nadia Dracini. Për Merita Smaja dhe Besnik Çinarin, stilistët e flokëve Albert Shiroka dhe ekipi i parukerisë Estetike Fabiola dhe Adelina Ashta kanë ofruar shërbimet e tyre.
Teatri Migjeni, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Bashkinë Tiranë, është gati të presë të gjithë artdashësit në premierën e kësaj komedie të veçantë. /Telegrafi/