Kur nuk se çka të bësh, populli thotë “lëvize-derën”. Kështu është edhe tek ne, në këtë vend. Shumica e partive politike shqiptare kur janë në pushtet dhe kur janë të pafuqishme për të bërë diçka ata kthehen në takime me popullin për tu arsyetuar. Aty ndjehen më të sigurt dhe aty sikur kërkojnë “falje” për të kaluarën dhe duke kërkuar “amin” për të ardhmen. Dhe pikërisht këto takime të ashtuquajtura me qytetarët, politikanët tanë i shfrytëzojnë në maksimum për të folur e përfolur për shumëçka, por duke mos thënë asgjë. Ajo që bie më së shumti në sy dhe vesh është, se kur i dëgjon këta lidership e kupton situatën në të cilën ndodhet realisht populli shqiptar në Maqedoni. Ata flasin sikur të jenë në opozitë edhe atë në opozitë të thellë tek blloku politik shqiptar. Të pafuqishëm ndaj pozitës inferiore në të cilën ndodhen, politikanët dhe udhëheqësit tanë politik flasin para popullit më fjalor për çështje kombëtare shqiptare, sikur të ishin në kuvendin e Lidhjes së Prizrenit apo në ndonjë simpozium shkencor të historianëve, e jo në një takim me popullatën e cila është buzë greminës së mbijetetesës. Të jesh pjesë e këtyre takimeve të duket sikur je në ndonjë shtet që ka përqindje të ulët të papunësisë, sepse liderët flasin në kohën e ardhshme për projekte inekzistente, për statuja, e për energjetikë. Krah për krah me liderin në “safin e parë”, janë ministrat dhe zëvendësministrat, kurse në rendin e dytë janë deputetët, ndërsa qytetarët janë kah fundi dhe mezi dëgjojnë fjalimet ngase zhurma e celularëve dhe sms në telefonat e ministrave dukshëm e prish qetësinë.
Në popull tashmë është e njohur batuta, se dikush, pasi kishte dëgjuar një edicion lajmesh, i ishte drejtuar shokut të tij, “çka tha ky bre”. Kështu është në këto takime me qytetarët ku në përfundim të tubimit, në dalje nga dyert e njërës sallës dëgjohet ky refren “nuk morra vesh asgjë”. Kështu ishte edhe një takim para disa ditëve, kur lideri i partisë duke përmendur fshatrat e një komune, rastësisht kishte harruar të cekte emrin e një fshati, ndërhyri një plak për ta rikujtuar liderin se edhe fshati i tij është pjesë e asaj komune. Megjithatë kjo nuk është shumë tragjike në krahasim me fjalimet e folësve nga foltorja sepse ata në mungesë të punëve që do të duhej ti kishin bërë, dalin e flasin vetëm në kohën e ardhshme. “Këtë do ta bëjmë atë do ta bëjmë. Kjo është në fazën fillestare, për këtë kemi projekt ideor” etj. Më interesante është se në këto takime vëren të gjithë funksionarët partiak dhe në disa vende edhe të punësuar në vende të ndryshme të cilët kanë frikë se e humbasin vendin e tyre të punës dhe janë pjesë e këtij dekori dhe teatri. Pjesa më ironike apo “shllagu i tortës”, është kokteji në fund të takimit.
Funksionarë partiak, ministra, deputetë, zëvendësministra, kryetar të degëve partiake, së bashku me liderin ndalen në një sallë tek kokteji, ndërsa banorët dhe qytetarët ia mësyjnë daljes së sallës për në shtëpi. Pa asnjë interakcion apo dëgjim të halleve të këtyre banorëve, përfundon takimi me banorët e një fshati. Në më shumë takime të liderëve dhe qytetarëve, nuk ka pyetje, apo nëse ka pyetje eventuale, ato janë të kurdisura që më herët për të shkaktuar erupsion në sallë. Dhe fare-fare në fund, këto takime më pas do të përdoren në fushatë si spote televizive dhe liderët do të thirren se kanë qenë afër popullit.
Nuk do të mund të përfundojë tekstin nëse nuk do të përmendja inferioritetin e popullit dhe heshtjen e tij gjatë këtyre tubimeve. Këta njerëz hallexhi, në këtë kohë të ftohtë kalojnë më shumë se një orë duke dëgjuar e dëgjuar fraza të njejta kurse në asnjë moment nuk dëgjohet zëri i tyre. Heshtja e tyre flet ndryshe, duhet të kuptohet se pajtohet me fjalimet apo as që ka qenë prezent me mendje në sallë, sepse hallet dhe brengat e tyre janë më të mëdha. Dhe si për inat qytetari i rëndomtë sërish së paku nuk dëgjoi nga vetë lideri i tij i preferuar ndonjë fjalë se ditë të mira e presin atë dhe familjen e tij. Heshtja e tij mund të kuptohet në shumë mënyra, edhe pse thellë në ndërgjegjen e tij ka shumë pyetje të cilët do të dëshironte ti parashtronte por për këtë nuk pati mundësi. I dëshirojmë sukses në ndonjë takim tjetër….