Site icon Telegrafi

A do të zyrtarizohet gjuha shqipe në komunën e Strugës?

Statuti i ri i komunës së Strugës i cili në formën e draft- propozimit ishte vendosur për votim në seancën e fundit të këshillit komunal, mund të jetë mollë sherri mes partnerëve lokal të koalicionit BDI-LSDM. Me propozim-statutin në Strugë gjuha shqipe barazohet me maqedonishten, gjë që para disa viteve e hodhi poshtë gjykata kushtetuese pasi për këtë u ankua dega e OBRM-PDUKM-së në Strugë. Në versionin e ri në nenin 7 thuhet;

Neni 7 i propozim-statutit për Strugën

“Në komunë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik. Në komunë gjuhë zyrtare përkrah maqedonishtes dhe shkrimit të saj cirilik është edhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj- përkatësisht gjuha dhe shkrimi të cilin e shfrytëzojnë të paktën 20% e banorëve të komunës. Për përdorimin e gjuhëve dhe shkrimeve të cilat i shfrytëzojnë të paktën 20% e banorëve të komunës, vendos këshilli i komunës.”

Nga LSDM-ja nuk konfirmojnë nëse do e mbështesin versionin e ri, ndërsa kryetari i komunës Ramiz Merko kërkon nga kjo çështje të mos bëhet politikë.

”Si grup këshilltarësh do ta presim debatin publik, ne do kemi edhe mendime dhe propozimet tona”. tha këshilltarja e LSDM-së, Nikolina Velkoska

Nga OBRM-PDUKM thonë se nëse votohet propozim-statuti i këtillë, ata sërish do dorëzojnë nismë në Gjykatën Kushtetuese.

”Me këtë, shumica e këshillit e përbërë nga BDI, LSDM dhe këshilltari Ilija Pejoski dëshirojnë në Strugë të vendosin dygjuhësi. Ne do të dorëzojmë parashtresë deri te Inspektorati për Vetëqeverisje Lokale dhe në Gjykatën Kushtetuese”, tha këshilltari i OBRM-PDUKM-së, Alen Dereban.

Struga është komuna e vetme në vend e cila punon me statut të vjetër dhe pa rregullore pune. Statuti i ri duhet të përshtatet me ndryshimet e ligjit për vetëqeverisje lokale të vitit 2008 dhe 2011. Tani propozimi do shtrohet për debat publik, dhe për miratim eventual, nevojiten dy të tretat e votave, përkatësisht shumicë e Badinterit në komunën e Strugës./Alsat-M/Telegrafi/

Exit mobile version