Më 5 maj pritet të rifillojnë gërmimet në territorin e Serbisë ku dyshohet për varreza masive, për të gjetur trupat e shqiptarëve civilë të vrarë e zhdukur nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kështu kanë bërë të ditur në një përgjigje dërguar Telegrafit nga zyra për komunikim me publikun në Ministrinë e Drejtësisë (MD).
Gjithashtu, siç bëjnë të ditur nga kjo zyrë deri më tani janë identifikuar dy persona nga Rrezalla e Skenderajt.
“Ju njoftojmë se ekspertet e Mjekësisë Ligjore do të vazhdojnë punimet nga data 5 maj 2021, me dekonservimin e terrenit – dhe zhvarrimin e trupave. Gjithashtu ju njoftojmë se deri më tani janë identifikuar dy persona nga Rrezalla e Skenderajt”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërsa, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se punimet që pritet të fillojnë do të zgjasin 15 deri në 20 ditë pune, në Kizhevak të Serbisë.
Ndërkaq, sipas tij do të punohet paralelisht edhe në territorin e Kosovës.
“Do të zgjas së paku 15 ditë pune deri në 20 ditë, në Kizhevak të Serbisë, por paralelisht do të punojmë edhe në Kosovë”, ka thënë Gërxhaliu.
Tutje, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës theksoi se më 29 prill do të punojnë te varrezat e myslimanëve në veri të vendit.
“Më 29 prill do të punojmë te varrezat e myslimanëve në veri”, tha ndër të tjera, Gërxhaliu.
Ndryshe, Kizhevaku është 285 kilometra në jug të Beogradit, Serbi. Në këtë vend malor, në afërsi të Kosovës, ishte gjetur varreza e pestë masive me mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së vitit 1999. Besohet se kufomat u bartën këtu në fund të luftës për të humbur gjurmët. Hetuesit arritën ta gjejnë vendndodhjen pas shumë vitesh kërkimi me ndihmën e Kryqit të Kuq. Zyrtarët thonë se dyshojnë për 15 deri në 17 kufoma. /Telegrafi/