Site icon Telegrafi

Të votosh apo të mos votosh

Eci rrugëve të qytetit tim kokulur, ku poshtë këmbëve fluturojnë fotot e zhubravitura të kandidatëve. Më shumë se një muaj në TV, gazeta por edhe SMS këta na neveritnin me lutjet e tyre: më votoni mua se unë jam më i miri, ju lutem, më votoni mua se unë jam engjëlli shpëtimtar. Ata të tjerët janë vet djalli, ata ju vodhën, ata bënë 100 të zeza, kurse ne s’do të bëjmë, na thanë ata – fotot e të cilëve fluturonin nen këmbët e njerëzve.

Dhe siç më duket se ky dejavu premtimesh s’më mbush mendjen edhe aq. Pyes veten. Prej nga kjo dëshirë e flakët për t’u zgjedhur, aq fitimprurëse mund të jetë fitimi i një vendi të këshilltarit komunal për atë person apo atë parti. Pse ky shpenzim aq i madh kur votuesit vuajnë urie.

Dhe si për inati altoparlanti i aktivistëve të Vetëvendosjes kumbonte si kurrë më parë: mos dilni të votoni. E prapa tyre, në sfondin e një muri rrinin të shkruar përemrat: unë votoj, ti voton, ai voton, ne votojmë, ju votoni, ata përfitojnë.
Dhe ditët e fushatës rrjedhin ashtu si një pllakë gramafoni që përsërit të njëjtën ritëm premtimesh dhe vjen dita e votimit. Të dalë të votoj apo të mos dalë. Pyetje shekspiriane.

Por them me vete më mirë të dalë. Vota ime është e vetmja armë që kam në dorë për të vendosë diçka për qytetin tim. Sepse nëse unë s’votoj t’i s’voton, ai s’voton, ne s’votojmë, ata do të përfitojnë. Ndalem dhe them me vete kush janë ATA që përfitojnë. ATA qenkan NE. Ata janë të tanët. Dhe më siguri se ata do të përfitojnë diçka sepse nga ai entuziazëm për tu zgjedhur. Më siguri këta qe i zgjedhim do të punojnë edhe për ne diçka, sepse s’kemi tjerë që t’i zgjedhim që të punojnë për në. Këta janë pasqyra e shoqërisë sonë. Ata s’janë vetëm ata. Lus zotin që përveç për veten dhe klanin e vet të punojnë edhe për Ne, sepse ata duhet ta dinë që janë edhe Ne.

Prandaj, vendosa të dalë, me mendjen top, për të votuar dhe për të zgjedhur këta që do të punojnë për NE dhe ATA. Nëse ATA përfitojnë shumë më shumë se NE, nëse gjykata nuk i dënon do kem rastin t’i dënoj veç pas 4 vitesh. Si larg 4 vite thash me vete. Më mirë sot dhe ika më vrap për të rrumbullakuar kandidatët.

Dhe si të gjithë bashkëvendësit votova jo për kandidatin më të mirë (sepse se dija kush është më i miri) por për kandidatin që e njihja. Thashë çdo kund po shkon me “të njofshëm”. Kjo Kosovë shumë e vogël po dalin shumë “të njofshëm“ që s’bën pa votuar për ta se koritesh. Sepse po u zgjodh ky ndoshta edhe Unë përfitoj. Kështu mendon një numër i madh i votuesve. Po programet, po fushata me premtimet e te tjerëve -. në ato momente s’ndjeja fare mëshirë për shpenzimet e mëdha të partive, që në thelb janë paratë tona. Votova, e kreva obligimin qytetar dhe ika.

Zgjedhjet u kryen, njerëzit dhe kandidatë e pazgjedhur iu kthyen obligimeve të veta të përditshme. E neve s’na mbete asgjë pos që të urojme që të zgjedhurit tanë të punojnë. Të kryejnë edhe ata obligimin e tyre qytetar duke punuar shumë. Ajo shumë le të jetë vetëm sa gjysma e punës së tyre në fushatë. Qytetit tim edhe aq i mjafton.

Nëse këta s’punojnë as sa gjysma e punës në fushatë, më siguri në zgjedhjet tjera ATA s’do të jenë ATA që përfitojnë por dikush tjetër. Deri pas katër vjetësh ndoshta, ATA do të jenë më të mirë se Këta për NE. Por tani për tani, këta i kemi dhe këta i meritojmë.

Exit mobile version