Telegrafi

Do të vijë BMW M2 Gran Coupe me katër dyer

Tashmë është përfolur se kompania BMW pas prezantimit të versionit Gran Coupe Serie 6 dhe Serie 4, ofertën e saj do ta zgjerojë edhe me një tjetër Gran Coupe – më i vogël deri më tani.

Kompania bavareze, në fakt, është duke përgatitur Gran Coupe Serie 2, si rival i Mercedes CLA, ndërsa në treg pritet të shfaqet gjatë vitit 2019.

Në gamën e motorëve mund të priten motorët benzinë dhe dizel, duke përfshirë motorët me tre cilindra, si dhe versionin hibrid të quajtur 225e Gran Coupe (në kombinim me motorin benzinë 1.5-litër Turbo me tre cilindra dhe me motorin elektrik me baterinë litium-jon), transmeton Koha.net. Por, motorët me gjashtë cilindra nuk do të jenë në dispozicion.

Coupe i tillë bavarez me katër dyer, sa i përket çmimit do të duhej të kushtonte diku në mes të Serie 2 Coupe dhe Serie 3 Sedan, ndërsa njëra nga versionet më interesante do të ishte M2 Gran Coupe – rival i Audi RS3 Sedan (i cili do të arrijë së shpejti) dhe Mercedes-AMG CLA 45.

BMW M2 Gran Coupe i tillë do të vinte me sistemin e tërheqjes vetëm me rrotat e pasme, paketën për aerodinamikën “agresive”, rrotat “M”, sistemin sportiv të shkarkimit të gazrave me katër tuba, frenat më të forta, ulëset sportive dhe timonin sportiv, si dhe me motor të fuqishëm.

M2 Gran Coupe do të duhej të kishte motorin sikurse të M2 Coupe, 3.0-litër Turbo me gjashtë cilindra e me kapacitet prej 370 kuajfuqi (mund të pritet që në dispozicion të jetë edhe marshi manual me gjashtë shpejtësi dhe marshi manual me shtatë shpejtësi e me koplung të dyfishtë), transmeton Koha.net. Gjithashtu, M2 Gran Coupe do të duhej të kishte performanca të njëjta sikurse M2 Coupe, duke përfshirë shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë të cilën e arrin për vetëm 4,5 sekonda me marshin manual, si dhe atë maksimale të cilën e ka të kufizuar deri në 250 km/h.

Ashtu siç pritet, BMW M2 Gran Coupe do të ketë boshtin e rrotave të bazuar në Serie 2 Coupe (2.7 metra), por do të jetë më i shkurt se Serie 3 Sedan (2.8 metra), ndërsa do të prodhohet në fabrikën e Leipzigut në Gjermani.