Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me raportin e Bankës Botërore mbi shkallën e punësimit në Kosovë.
Ajo ka theksuar se nuk ka asnjë keqinterpretim të raportit nga opozita, duke cituar fjalët e saktë të raportit: “vetëm 37% e popullsisë në moshë pune në Kosovë punojnë”.
Bajrami ka theksuar se kjo shifër e vendos Kosovën në një pozitë të vështirë në krahasim me vendet e tjera në rajon.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në fund të vitit 2023 kemi pasur 440,448 gra dhe 237,123 burra jashtë tregut të punës në grup moshën 15 deri 64 vjeç,” ka thënë ajo.
Ajo ka akuzuar Muratin se është “peng i mashtrimeve e premtimeve të tij” dhe se është ai dhe qeveria e tij ata që po manipulojnë me shifrat.
“Të vetmit që po keqinterpretoni dhe po manipuloni me shifra jeni Ju, askush tjetër,” ka thënë Bajrami.
Ndryshe ministri Hekuran Murati theksoi se për periudhën 3-vjeçare të Qeverisë Kurti, sipas raportit të Bankës Botërore janë shtuar 78,427 vende pune.
Murati përmendi gjithashtu se shkalla e papunësisë ka rënë nga 25.9% në vitin 2020 në 10.9% në fund të vitit 2023, duke e quajtur këtë “rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë”. /Telegrafi/