“Kjo është rruga të cilën e bëjnë personat e verbër çdo ditë kur shkojnë në punë. Tani do të futemi Brenda për të parë kushtet me të cilat ata funksionojnë”
Pamjet flasin vet se në çfarë kushtesh gjendet baraka në të cilën funksionon shoqata e të verbërve dhe shurdhmemecëve në Kërçovë
Ndonëse të verbër, ata rrethohen me kabllo elektrik që përbëjnë rrezik për ata. Siç duket instalimi i energjisë elektrike me vite nuk është riparuar. E lagështia brenda në këtë zyrë është një problem tjetër me të cilin ata ballafaqohen gjatë dimrit.
Kryetari i Shoqatës së të verbërve dhe shurdhmemecëve në Kërçovë Zenel Zylbeari tha se Komuna e Kërçovës përkrahë aktivitetet e tyre si shoqatë, megjithatë ata kërkojnë një zyre me kushte më të mira dhe të sigurta për ata si kategori e margjinalizuar.
“Prej fillimit të themelimit të kësaj shoqate kemi pasur kushte të vështira, konkretisht për zyra, të cilat nuk janë të mjaftueshme për aktivitetet e kësaj kategorie. Bëjmë përpjekje me komunën e Kërçovës por deri tani premtime plot, ndërsa në vepër asgjë” tha Zenel Zylbehari, kryetar i shoqatës së të verbërve .
TV21 kërkoi qëndrim nga Kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari . Ai përmendi faktin se edhe ata si komunë hasin në probleme me hapësirat dhe kushtet me të cilat funksionojnë. Dehari tha se këtë vit Komuna ka ndarë një buxhet prej 200 mijë eurove për mbështetje sociale, buxhet ky i cili sipas tij do të përfshijë edhe shoqatën e të verbërve.
“Shpresojmë që këtë vit ky problem të marr zgjidhje, meqë tanimë si komunë posedojmë një objekt të së ashtuquajturës ish-komanda të ushtrisë dhe komuna ka hartuar projektin e ri në dhënien e lejes të ndërtimit dhe kemi aplikuar në fondet e qeverisë së RM dhe fonde tjera. Po arritëm të realizojmë këtë objekt mendoj se krijojmë mundësi reale për mbështetje apo dhënie në shfrytëzim të zyrave edhe të kësaj godine po edhe tek e reja për të gjitha nevojat që mund të paraqiten qoftë nga shoqata e të verbërve qoftë nga shoqata tjera” tha Fatmir Dehari , kryetar i komunës së Kërçovës .
Shoqata e të verbërve dhe shurdhmemecëve në Kërçovë e kryen veprimtarin e saj që nga viti 1990 dhe numëron 170 anëtarë. Me këto kushte kjo shoqatë gati 29 vjet funksion në këtë barakë./Tv21/