Debutimi i SHKA ‘Sofra Pejane’ në mediat nacionale, RTK dhe RTV 21, gjatë festës së ndërrimit të moteve, edhe njëherë i dha vulë përpjekjeve të mirëfillta për ruajtjen e trashëgimisë dhe traditës së mirëfilltë muzikore, në një kohë e rrethanë kur vlerat e artit mbeten në rrezik nga kiçi e shundi.
11 minuta popturi me përmbajtje këngësh popullore me ritëm festiv, pasuruan skenën festiv të RTV 21, në programin festiv ‘Ftohtë e nxehtë’ që u drejtua nga Granit Myftari.
SHKA ‘Sofra Pejane’, traditë e bartur muzikore e kulturore ndër dy shekuj, në mbrëmjen e ndërrimit të moteve zuri hapësirë me 27 minuta program, në Prime-Time edhe në programin festiv qëndror të transmetuesit publik RTK, realizim që ju besua në organizim, ish-anëtarit të grupit muzikor ‘Besnikët’ e Prishtinës, Fatmir Osmanit, tani punonjës në RTK.
Në të dy televizionet nacionale SHKA ‘Sofra Pejane’ u prezantua me repertor të mirëfilltë. Ajo që në këtë ndërrim motesh e veçoi këtë shoqëri gjatë paraqitjeve, ishte edhe garderoba, kësaj radhe me motive tradicionale qytetare, duke bartur xhemperë me pullë, me motive të traditës.
Ndryshe, projektet e SHKA ‘Sofra Pejane’, që nga pas Pandemia mbështeten financiarisht nga gjigandi ekonomik ‘Elkos Group-Etc’, respektivisht presidenti i saj Ramiz Kelmendi.
Nga viti 2017, me një vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, SHKA. ‘Sofra Pejane’ është futur në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme nga shteti, si vlerë e trashëgimisë shpirtërore-muzikore. /Radio 1/